Gërvalla takohet me Bjørnstad, diskutohet normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi

Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj pritën sot në takim përfaqësuesin e posaçëm të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjørnstad, me të cilin biseduan mbi prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës dhe zhvillimet politike aktuale në vend.

Ministrja Gërvalla ka falënderuar Bjørnstad për mbështetjen që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi, si dhe ka vlerësuar ndihmën konkrete norvegjeze për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Në këtë takim u bisedua edhe për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, pala norvegjeze ka rikonfirmuar mbështetjen e shtetit të Norvegjisë karshi agjendës evropiane të Kosovës. /KP