GJILANI PASTRON HAPËSIRËN RRETH PENDËS SË LIVOQIT

Komuna e Gjilanit po vazhdon pastrimin e ambientit nga mbeturinat dhe në bazë të kalendarit të aktiviteteve sot së bashku me nxënësit e shkollave, përfaqësuesit e Agjensionit për Zhvillim Rajonal – Lindje, kanë bërë pastrimin e hapësirës rreth pendës së Livoqit.

Drejtori i Administratës së Përgjithshme, kryesues i aksionit për pastrim, Bardhyl Syla, ka thënë se falë mbështetjes qytetare, nxënësve të shkollave të Gjilanit, policisë, Forcës së Sigurisë dhe pjesëmarrjes së gjerë institucionale, aktivitetet për pastrim janë duke shënuar suksese.

“Aksioni do të zgjasë deri më 30 qershor. Deri më tash janë pastruar hapësirat publike në shumë lokacione urbane dhe në fshatra. Në kuadër të kësaj janë paraparë edhe shenjëzimet nëpër rrugë dhe trotuare, rregullim të ndriçimit publik, rregullimin e infrastrukturës, mirëmbajtjen e projekteve e deri te veprat artistike, muralet. Ambientin e pastër nuk mund ta mbajnë as institucionet dhe as kompanitë nëse nuk kemi bashkëpunim dhe kulturë qytetare. T’i themi stop ndotjes, duke u përkujdesur secili individ në komunën e Gjilanit”, ka thënë Syla.

Agim Zeka nga AZHR-Lindje, ka thënë se pastrimi i ambientit sot në pendën e Livoqit tashmë është një vazhdimësi e traditës që vazhdimisht angazhohemi së bashku me Komunën e Gjilanit për ta mirëmbajtur ambientin e pastër.

Ndryshe, aksioni për pastrimin e ambientit nga mbeturinat ka nisur më 5 qershor dhe zyrtarët kanë thënë se aktivitete të ngjashme do të ketë edhe në të ardhmen./KP