HAPET FABRIKA PËR PRODHIMIN E DYERVE DHE DRITAREVE NGA PLASTIKA E ALUMINI “NOVOLANI”

Komunës së Vushtrrisë i është shtuar edhe një fabrikë, e cila do të gjenerojë zhvillim ekonomik, eksport dhe rritje të punësimit.

Në Nedakoc të kësaj komune sot solemnisht është hapur fabrika për prodhimin e dyerve dhe dritareve nga plastika dhe alumini “Novolani”.

Me këtë rast kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri mirëpriti hapjen e kësaj kompanie, i cili tha se sektori privat mbetet shtyllë e fortë për zhvillim dhe punësim.

Për këtë ai ofroi mbështetje komunale për këtë fabrikë dhe për shumë të tjera që zhvillojnë afarizëm në Vushtrri.

Tahiri: Ndërmarrësit po krijojnë vende të reja pune në Vushtrri

 

“Ne si komunë po hyjmë në një fazë tjetër. Ka kaluar koha e asfaltit, po hyjmë në një fazë tjetër të zhvillimit dhe punësimit. Kështu që gjenerata jonë ka për obligim të gjenerojë zhvillim, punësim dhe të përkrahë mbi të gjitha sektorin privat. Jeni ju ndërmarrësit e Vushtrrisë, ndërmarrësit e Kosovës që krijoni punësim, që krijoni zhvillim, dhe që i jepni frymë e gjallëri jetës në Vushtrri”, tha Tahiri.

Pronari i fabrikës “Novolani”, Skënder Novolani tha se misioni i tyre mbetet rritja e kapaciteteve prodhuese, eksporti në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe punësimi.

Novolani: Misioni ynë është rritja e eksportit dhe punësimit

 

“Fabrika ka të punësuar 30 punëtorë, të cilët me punën e palodhshme janë ndër faktorët kryesorë për rritje dhe zhvillim të kompanisë. Momentalisht jemi duke eksportuar edhe në vendet e Evropës si në Gjermani, Suedi, Belgjikë, Holandë dhe Austri. Misioni i kompanisë tonë është rritja e eksportit për vendet e Bashkimit Evropian, ngritja e kapacitetit të prodhimit dhe rritja e numrit të punëtorëve”, tha Novolani.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha se hapja e kësaj fabrike është moment i rëndësishëm për Vushtrrinë, ekonominë dhe punësimin, derisa pati edhe një epitet për pronarin e “Novolanit”.

Gërxhaliu: Ata që sot hapin vende të reja pune dhe eksportojnë janë heronj

“Në Kosovë, e pranuan apo jo, sektori privat ka bërë hapa shumë më të avancuar se sa politika. Këtë e dëshmon kjo fabrikë dhe shumë të tjera në Kosovë, që vërtet po përmirësojnë imazhin e Kosovës, po ua kthejnë shpresën të të rinjve se në Kosovë mund të jetohet dhe zhvillohet. Ai që krijon vende të reja të punës dhe ai që eksporton është hero modern i pas luftës. Këtë epitet e fiton edhe Ibrahim Novolani”, tha Gërxhaliu.

Ndërsa, investimi në këtë fabrikë nga familja Novolani që merren me këtë veprimtari prej vitit 1994, është rreth 2 milionë euro, me një teknologji të avancuar, sipërfaqe të mbyllur mbi 3500 metra katrorë./KP