HOXHAJ SË BASHKU ME KRYESINË E PDK-SË DORËHIQEN PARA KONVENTËS ZGJEDHORE

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj kanë dhënë sot dorëheqje nga pozitat aktuale për shkak të mbajtjes së Konventës së partisë më 3 korrik.

Në një konferencë për media, Hoxhaj tha se zgjedhjet e brendshme do ta nxjerrin PDK-në edhe më të fortë dhe bashkuar, por ai nuk bëri të ditur nëse do të kandidojë për të parin e partisë.

Hoxhaj: Kryesia dhe unë kemi dhënë dorëheqje

Video:

“Një nga vendimet është që Kryesia e PDK-së dhe unë si ushtrues i detyrës japim dorëheqje nga gjitha pozitat në kryesi. Nga ky moment ne i pushojmë funksionet partiake deri në mbajtjen e konventës më 3 korrik të këtij vitit. I vetmi që funksionon është grupi punues, i cili merret me përgatitjet e Konventës. Dorëheqja ime dhe e Kryesisë së PDK-së është një akt demokratik dhe statutar dhe përçon shembullin e mirë të një partie politike serioze, e cila do të dalë edhe më fortë pas 3 korrikut”, tha Hoxhaj.

Duke ftuar të gjithë anëtarët që kanë vullnet të kandidojnë për kryetar të partisë në konventën e ardhshme zgjedhore, Hoxhaj tha se PDK-ja ka nevojë për një përkushtim të ri si parti.

Hoxhaj: Kushdo që ka dëshirë mund të garojë për të parin e partisë

Video:

“Unë dua që t’i ftoj të gjithë anëtarët e PDK-së, deputetët, anëtarët e kryesisë, kryetarët e degëve, kushdo që ka dëshirë le të garojë për të parin e partisë. PDK ka nevojë për energji të reja, ka nevojë për një vizion të ri dhe ka nevojë për një përkushtim të ri si parti politike… Kush dhe kur garon duke përfshirë edhe kandidaturën time, është temë e ditëve të ardhshme”, tha ai.

Krahas kësaj, Hoxhaj tha se PDK duhet t’i prijë ndryshimit dhe bërjes opozitë aktive ndaj pushtetit që sipas tij po synon të tjetërsojë të arriturat e Kosovës.

Hoxhaj: Këtë ndryshim duhet ta përqafojë dhe reflektojë PDK-ja

Video:

“Shoqëria jonë në Kosovën e vitit 2021 ka ndryshuar. Këtë ndryshim duhet ta përqafojë dhe reflektojë PDK-ja, por pa harruar asnjëherë bazën e themeluesve të saj që buron te lufta e UÇK-së për liri e pavarësi”, ka thënë Hoxhaj.

I pyetur për marrëveshjen e Uashingtonit, Hoxhaj tha se PDK e mbështet dhe kërkoi nga Qeveria e Kosovës ta zbatojë të njëjtën./KP