INSPEKTORI I NDËRTIMIT NË PRIZREN SHPALLET FAJTOR, DËNOHET ME BURGIM DHE ME MBI 21 MIJË EURO

Inspektori i ndërtimit N.M në Komunën e Prizrenit është shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kështu ka njoftuar Gjykata Themelore në Prizren.

Gjykata ka treguar se për cilat raste bëhet fjalë që N.M keqpërdori detyrën zyrtare.

“ Në periudhën kohore prej vitit 2016-2017 në Prizren në cilësinë e personit zyrtar – inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin, respektivisht investitorët “………..” me pronar N.K., dhe investitorin “…….” me pronar S.V., në atë mënyrë që nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të tetë (8) të kompleksit ndërtimor në lagjen Jeta e Re, i cili objekt ka pasur leje për ndërtimin P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje P+B+8, gjithashtu i akuzuari N.M., ka mundësuar që në objektin e banimit kolektiv në Prizren ndërtimin edhe të tre (3) kateve shtesë pa leje, ku leja e ndërtimit ka qenë B+P+2 ndërsa është ndërtuar B+P+5, me ç’ rast investitorëve i’ u mundësohet dobi një (1) kat në rastin e I-rë, dhe tre (3) kate në etazhitet të objektit në rastin e II-të. Kësodore ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar nga neni 422 par. 1 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Ai dënohet me burgim në kohëzgjatje prej 10 muajve, dhe po ashtu obligohet që Komunës së Prizrenit t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar për dy objektet në shumën prej 21 mijë e 551 euro e 58 cent.

“Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin e GJYKON: Të akuzuarën N.M., me dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) muajve. OBLIGOHET i akuzuari N.M., që Komunës së Prizrenit të ia kompensojë dëmin e shkaktuar për dy objektet në shumën prej 21,551,85 euro. Të akuzuarit N.M., i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratën publike në afat prej dy (2) viteve. Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar”, tregohet në komunikatë e gjykatës.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./KP