INTERESIM I MADH PËR VAKSINIM NË “1 TETORI” EDHE NË VIKEND

Shtimi rekord i rasteve me COVID-19 ka bërë që qendra e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë të jetë e stërmbushur me qytetarë të cilët duan të vaksinohen.

Pavarësisht se përkrahin masat e reja, qytetarët kundërshtojnë izolimin total, ndërsa preferojnë që të shtohet kujdesi dhe të vazhdon vaksinimi masiv.

Abdullah Miftari, pasi mori vaksinën kundër COVID-19 tha për KosovaPress se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm, duke mbajtur distancën dhe rralluar kontaktet me të tjerët.

Megjithatë, ai shton se Kosova nuk duhet të izolohet për shkak të gjendjes së rënd ekonomike..

Miftari:Para 10 minuta e mora dozën

“Para 10 minuta e mora dozën kështu që po e marr shumë normal. Çdo person që e kupton që ka me simptoma është mirë me u distancua edhe mos me pas kontakte me tjerët. Unë nuk e kisha preferua izolimin meqenëse ata të cilët izolohen duhet me i pas edhe kushtet, puna duhet me ekzisto pa punë nuk ka kurrgjë. Nëse pretendojmë me u izolua atëherë Kosova është mjaftë e varfër pjesa dërrmuese e popullatës janë në gjendje të mjerueshme, atëherë edhe nëse izolohemi atëherë ku po na shpie kjo rrugë,” deklaron ai.

Edhe qytetari Ali Ahmeti, edhe pse mori vaksinën kërkon që të respektohen masat e vendosura nga Qeveria.

Me organizimin në sallën “1 Tetori” po shprehet i kënaqur.

Ahmeti:Masat mirë që janë marrë për mu mbrojte

“Masat mirë që janë marrë për me u mbrojt, por masat duhet me i respektua. Sot e kam marrë dozën e parë me të 18 e kam të dytën, në rregull është çdo gjë,” thotë ai.

Masat e reja kundër COVID-19 kanë hyrë në fuqi nga dita e djeshme.

Dasmat, ahengjet dhe klubet e natës janë ndaluar deri në fund të gushtit. Ndërsa gastronomia u lejua të punojë deri në ora 22:30.

Kujtojmë se vetëm gjatë ditës së djeshme pozitiv me COVID-19 rezultuan 2 mijë e 250 persona, ndërsa u shënuan katër viktima./KP