ISH-GJENERALI AMERIKAN: NATO TA THOTË QË KFOR NUK LARGOHET NGA KOSOVA

Ish-gjenerali i forcave amerikane në Evropë, Frederick Ben Hodges, ka folur për situatën e sigurisë në rajon dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

 

Ai gjithashtu është pyetur edhe për emërimin e emisarit britanik për Ballkanin Perëndimor dhe nëse do të jetë e mundur që Britania e Madhe, Amerika dhe Evropa të punojnë bashkë në çështjen e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Hodges ka thënë se SHBA’ja duhet të ketë një strategji të duhur për Ballkanin Perëndimor dhe thekson se NATO-ja duhet të përsërisë disa herë që misioni i KFOR-it në Kosovë është për të qëndruar dhe se nuk do të largohet.

“Do të ishte e rëndësishme për BE-në, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-të dhe NATO-n që të kenë një qëndrim të përbashkët për atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor. Është në interesin e të gjithëve që të kemi rritje të stabilitetit ekonomik dhe të sigurisë në rajon. Duhet të punojmë të gjithë në një mënyrë kompatibile, për të gjitha çështjet kyçe të BE-së. Për të qenë serioz për integrimin në BE- dhe për të gjetur një mënyrë për të mbështetur përpjekjet e Serbisë dhe shteteve tjera për t’u zhvilluar dhe modernizuar. Unë mendoj se SHBA-ja duhet ta ketë strategjinë e duhur për rajonin, jo ndonjë kalimtare dhe dua gjithashtu të theksoj se NATO duhet ta thotë qartë, përsëri dhe përsëri dhe përsëri që misioni i KFOR-it është këtu për të qëndruar dhe se nuk do të largohet nga Kosova”, ka thënë Hodges për Kosovo Online, përcjell Express.

I pyetur nëse është optimist për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Hodges ka thënë se është dhe se liderëve duhet t’iu jepet shansi për të negociuar.

“Kjo është e rëndësishme dhe unë mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin procesin, të punojnë ngushtë me BE dhe vende të tjera. Mbretëria e Bashkuar, natyrisht, duhet t’i mbështesë këto përpjekje, sepse kjo është një konkurrencë dhe nëse Perëndimi nuk është atje për të konkurruar, atëherë Kina dhe Rusia do ta mbushin atë boshllëk dhe pastaj unë nuk shoh një përfundim pozitiv për të rinjtë në rajon”, ka thënë Hodges tutje.

I pyetur nëse do të ketë një takim Kurti-Vuçiq, ish-gjenerali amerikan ka thënë se është e rëndësishme që liderët të takohen dhe thekson se ata duhet të jenë të mbrojtur nga ndikimet e jashtme.

“Nuk duhet të vendosen linja të kuqe, dhe ne s’kemi nevojë për mësime nga ata që s’kanë interes që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë raportet”, ka thënë tutje.