JASHARAJ: ME APO PA DRY SHKOLLAT DO TË MBYLLEN NËSE NUK PLOTËSOHEN KËRKESAT

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, i ka reaguar ashpër kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt në lidhje me paralajmërimin e grevave në arsim.

 

Nagavci së fundmi ka deklaruar se SBASHK-u po i përdor tema të ndryshme për arsye të zgjedhjeve të brendshme derisa sipas saj ka përfunduar koha kur dikush vendos dry në shkollat shqipe.

Lidhur me këtë deklaratë, ka reaguar Rrahman Jasharaj, kreu i SBASHK-ut, i cili në një prononcim ka thënë se ministrja Nagavci edhe më herët ka dhënë deklarata të tilla.

“Nagavci edhe më parë ka dhënë deklarata të tilla nga lartë. Qeveria Kurti dhe Nagavci kish qenë mirë mos t’i ikin takimeve por të takohemi dhe të flasim për temat rreth kërkesave tona. Ia bëj me dije Nagavcit se SBASHK-u do të vazhdoj me angazhimet. I pëlqej dikujt apo jo deri më tash nga zgjedhjet në nivelin komunal në krejt nivelet, pra nga çerdhet e deri në arsimin parauniversitar më kanë nominuar përsëri mua të jem kryetar edhe për një mandatë tjetër në SBASHK”,ka deklaruar Jasharai.

E Jasharaj, foli në theks të veçantë për deklaratën e tij për vendosjen e drynave në shkolla.

“Ato që kemi për t’ia thënë do t’ia themi në takime. Përndryshe deklaratat për të drynat ka qenë në simbolikë që nënkupton se ministri Xhelal Sveçla në takimin që e kishim kërkoi hapësirë kohore për të punuar në qetësi për të mos u ngutur në versionin e Ligjit të Pagave. Atij i’a kemi bë me dije se nëse nuk respektohen afatet që vet i kanë kërkuar dhe pikërisht për hir të dialogut dhe mirëkuptimit që të ketë afate dhe të mos ngutet i kemi shtyrë për një kohë dhe kemi heqë dorë për momentin nga grevat dhe protestat. Me të përfunduar marsi kur edhe përfundon afati që ka kërkuar ministri Sveçla atëherë Këshilli drejtues i SBASHK-ut do të ulet dhe do të vlerësojë situatën dhe do të vendosë. Cili do vendim që e merr Këshilli drejtues unë do të jem në ballë për t’i përfaqësuar. Thënie ime për t’i vënë drynin e ka kuptimin figurativ se nëse shkohet në grevë dihet se shkollat do të jenë të mbyllura, pra s’do të mbahet procesi mësimorë. Do të jenë vetëm mësimdhënësit dhe nuk do të ketë mësim”,tha tutje Jasharaj.

Jasharaj, tutje tha po ashtu se me apo pa dry, nëse nuk realizohet kërkesa e tyre në afatin e paraparë, pra deri në fund të marsit, atëherë shkollat do të mbyllen, raporton inlajmi.

“Me apo pa dry shkollat do të jenë të mbyllura. Nuk do të zhvillohet procesi mësimor dhe pastaj krejt e dimë se fajin e kanë institucionet dhe Qeveria të cilët me këtë rast do ta shkelin marrëveshjen dhe afatet që vet i kanë kërkuar”,tha ai