KËTA JANË KANDIDATËT QË SYNOJNË KREUN E GJYKATËS SË APELIT

Hashim Çollaku, Nehat Idrizi, Zyhdi Haziri, Valon Totaj, Bashkim Hyseni dhe Kreshnik Radoniqi janë gjashtë gjyqtarët që i kanë hyrë garës për pozitën e kryetarit të Gjykatës së Apelit, sipas konkursit të shpallur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 28 qershor 2021.

 

Aktualisht pozitën e të parit në Gjykatën e Apelit e ushtron Afrim Shala, të cilin KGjK e ka caktuar ushtrues detyre, pozitë të cilën do ta mbajë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate.

Kjo pasi, ish-kryetarit të deritanishëm të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, i ka përfunduar mandati në fillim të muajit gusht.

Tre nga kandidatët që i janë futur kësaj gare, Bashkim Hyseni, Hashim Çollaku dhe Nehat Idrizi për “Betimi për Drejtësi”, kanë prezantuar objektivat që synojnë t’i realizojnë nëse zgjedhen për të udhëhequr me Apelin.

Lidhur me këtë, Bashkim Hyseni si objektiva që synon ti përmbushë në rast të përzgjedhjes në këtë pozitë ka përmendur eliminimin e vonesave dhe kryerjen e të gjitha lëndëve brenda standardeve kohore, pastaj përmirësimin e cilësisë së vendimeve dhe krejt në fund, avancimin e stafit administrativë.

Ndërsa, sa i përket mangësive kryesore me të cilat ballafaqohet aktualisht Apeli, Hyseni ka listuar vonesat në trajtimin e çështjeve civile, mos kategorizimin e lëndëve për nga pesha dhe mos aplikimi i praktikave të duhura për zgjidhjen e lëndëve sipas kategorive dhe mos aplikimin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Mangësia e pare janë vonesat e shumta në trajtimin e çështjeve civile, e dyta është mos kategorizimi i lëndëve për nga pesha dhe mos aplikimi e praktikave të duhura për zgjidhjen e lëndëve sipas kategorive dhe e treta është mos aplikimi apo aplikimi i pamjaftueshëm i jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të drejtat  dhe liritë e njeriut apo praktikës së Strasburgut”, ka thënë Hyseni.

Hyseni ka njoftuar se do të ndërmarrë veprime konkrete për rritjet e llogaridhënies brenda Apelit, duke i bërë të qasshme për publikun të gjitha vendimet e kësaj gjykate, duke shtuar  se nuk do të jenë aspak tolerues ndaj veprimeve jo etike.

Kandidati tjetër, Hashim Çollaku, si mangësi kryesore me të cilat po përballet Apeli ka numëruar mungesën e efikasitetit, pastaj plotësimin e vendeve të punës përmes rritjes së numrit të gjyqtarëve dhe stafit përcjellës dhe ngritjen e kualitetit të vendimmarrjes brenda këtij institucioni.

Andaj, Çollaku ka njoftuar se eliminimi i këtyre mangësive janë edhe synimi i tij kryesor nëse merr mandatin për të udhëhequr me Apelin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Çollaku ka njoftuar se do të ndikoj që të rritet llogaridhënia brenda Apelit, duke përcjellë punën e secilit gjykatës, nëpërmjet komisioneve të KGjK-së, pastaj raportimeve që bëhen çdo muaj dhe ato në periudhën tre mujore, mbi punën e gjykatësve.

Ndërsa Nehat Idrizi si objektiva themelore që synon ti realizojë nëse merr drejtimin e Apelit ka listuar hartimin e planeve për menaxhimin efikas të lëndëve me qëllim të reduktimit të vonesave, përmirësimin e kualitetit të të shkruarit ligjor dhe arsyetimit të vendimeve dhe ngritjen e besimit të publikut në punën e këtij institucioni.

Sa i përket mangësive kryesore, Idrizi ka përmendur mosplotësimin e vendeve të lira të punës për gjykatës dhe staf mbështetës, pastaj vonesat në vendosjen e lëndëve dhe niveli jo i kënaqshëm i besueshmërisë së publikut në punën e gjykatës.

Në fund, Idrizi ka njoftuar se do të punojë në rritjen e llogaridhënies brenda Apelit duke përcjellë progresin e lëndëve dhe vendosjen brenda afateve të arsyeshme, rritjen e transparencës dhe ndërmarrjen e masave disiplinore në rast të shkeljes së Kodit të Etikës dhe dispozitave ligjore.

Dy nga kandidatët, konkretisht Kreshnik Radoniqi dhe Valon Totaj, kanë thënë se në këtë fazë nuk preferojnë që ti paraqesin objektivat e tyre për publikun, përderisa procesi është duke vazhduar në KGjK, derisa gjykatësi Zyhdi Haziri ka qenë i pa qasshëm,

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi që nga 27 korriku ka kërkuar në vazhdimësi emrat e kandidatëve për të parin e Apelit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, zyrtarja për informim në KGjK, znj. Aishe Qorraj ka njoftuar se “Deri në  shqyrtimin e aplikacioneve dhe dokumentacionit përcjellës nga Komisioni gjegjës nuk është e njohur se kush do të vazhdoi garën e mëtutjeshme të pozitës përkatëse”.

Më poshtë gjeni të bashkangjitur biografitë e secilit prej gjashtë kandidatëve për kryetar të Gjykatës së Apelit, të publikuara në ueb faqen zyrtare të kësaj gjykate.

Hashim Çollaku që nga 1 janari i vitit 2013 është gjyqtar Departamentin e Përgjithshëm, Divizionin Penal të Gjykatës së Apelit, ndërsa që nga viti 2010 e deri në vitin 2012 ai ka qenë i angazhuar si gjyqtar në ish-Gjykatën e Qarkut në Prizren.

Kandidati i dytë që i ka hyrë garës për të parin e Apelit, Nehat Idrizi që nga shtatori i vitit 2015 është gjyqtar në Gjykatën e Apelit dhe gjykon lëndë civile. Idrizi ka qenë kryesues i KGjK nga data 10 shkurt 2016 e deri në dhjetor të vitit 2019, kur ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Ai ka shërbyer edhe si gjykatës në ish-Gjykatën e Qarkut në Prishtinë gjatë viteve 2010 e deri në fund të vitit 2013.

I treti në këtë listë është Zyhdi Haziri, i cili aktualisht ushtron funksionin e gjykatësit në Divizionin Penal të Gjykatës së Apelit. Nga viti 2010 është emëruar gjykatës në ish-Gjykatën e Qarkut në Gjilan, e pesë muaj më vonë, mori udhëheqjen e kësaj gjykate deri më 31 dhjetor 2016. Që nga viti 2016 e deri në janar të vitit 2021 ka qenë gjykatës në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën e Gjilanit.

Kandidati i katër në këtë garë Valon Totaj, që nga 20 shkurti i vitit 2018 ushtron funksionin e gjykatësit në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Civil të Gjykatës së Apelit. Gjatë viteve 2013-2018 ka punuar si gjykatës në Gjykatën Themelore në Prizren.

I pesti në këtë listë është Bashkim Hyseni, i cili që nga janari i vitit 2021 gjykon lëndë në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit. Nga viti 2006, ai është emëruar gjykatës në ish-Gjykatën Komunale në Ferizaj deri në vitin 2010, kur është zgjedhur kryetar i kësaj gjykate. Me reformimin e strukturës së sistemit gjyqësor, Hyseni nga 1 janari i viti 2013 ishte emëruar kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, pozitë të cilën e ka mbajtur deri në janar të këtij viti.

I fundit në këtë listë është Kreshnik Radoniqi, i cili që nga korriku i vitit 2019 është gjykatës në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit. Në korrik të vitit 2012, Radoniqi ishte emëruar gjykatës në ish-Gjykatën Komunale në Pejë, ndërsa nga janari i vitit 2013 ai u emëruar gjykatën në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Pejë. Nga nëntori i vitit 2015, deri në maj të vitit 2016 ka punuar si gjykatës në Departamentin për Krime të Rënda në Prishtinë, për të vazhduar më pas punën në Gjykatën Themelore të Pejës në po të njëjtin departament. Në dhjetor të vitit 2016, ai ishte emëruar Kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë, funksion të cilin e ka ushtruar deri në korrik të vitit 2019, pozitë të cilin e kishte lënë për tu bërë gjyqtar i Departamentit Special të gjykatës së shkallës së dytë./BetimipërDrejtësi./RTK