KONJUFCA KËRKON UNITET POLITIK PËR ZBATIMIN E MSA-SË

Është konstituar Komisioni i përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë (KPSA), konstituimi i të cilit u tha se është shtyrë shumë. Ndërsa u potencua edhe ngadalësia e zbatimit të MSA-së.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se tash nevojitet një shpejtësi krejtësisht e re për zbatimin e MSA-së, pasi deri më tash ky proces ka qenë mjaft i ngadalshëm.

Konjufca kërkoi unitet politik në këtë drejtim, pasi siç tha ai, kjo nuk është një garë politike, por nevojë që Kosova të bëjë hapa sa më të shpejt drejt integrimit evropian.

Kryeparlamentari Konjufca tha po ashtu se parlamenti do të mbikëqyrë gjithmonë pakot e reformave, meqë janë të një rëndësie të madhe për vendin.

“Implementimi i këtij procesi nuk është i njëanshëm, por është një ndër proceset më të rëndësishme që ne realizojmë bashkë me Bashkimin Evropian. Mund të konkludojmë që deri më tash zbatimi ka qenë mjaft i ngadalshëm dhe ka nevojë për shpejtësi”, tha ai.

Kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari – Lila bëri të ditur se në përbërje të këtij komisioni janë 13 deputetë, dhe se të gjithë janë zëvendësanëtarët.

Takimi i radhës i këtij komisioni është paraparë të mbahet në nëntor.

Me marrjen e Presidencës së Sllovenisë janë paraparë 4 shtylla të prioriteteve.

Nënkryetari i këtij komisioni, Elmi Reçica tha se “Për shkak të rrethanave është pak i vonuar konstituimi i këtij komisioni, por do të jemi ata që do të shtyjmë punët përpara”.

Deputeti Besnik Tahiri tha se Kosova duhet të tregojë seriozitet në zbatimin e MSA-së.

“Ne duhet të dakordohemi se a do ta bëjmë këtë komision funksional, cili do të jetë roli ynë[…]Kërkoj me tregu seriozitet, së pari sot u vonuat në takim 16 minuta”, tha ai.

Deputeti Armend Muja tha se është shqetësuese sesa ngadalë është zhvilluar ky proces. Ai tha se ky cikël nuk duhet të vazhdojë kështu.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj u interesua të dijë për arsyet e vonesës së konstituimit të këtij komisioni.

“Pse kjo vonesë e konstituimit të këtij komisioni… Po shpresoj që kryetari dhe nënkryetari të shpejtojë dinamikën e takimeve sepse çdo shtyrje do të prolongojë procesin e integrimit të Kosovës”, tha Zemaj.

Deputetja Ariana Shoshi tha se ky është dashtë të jetë takimi i 5-të i këtij komisioni.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se puna e parë që duhet të bëhet është që të ftohen ministrat dhe të tregojnë se ku janë me implementimin e planit të veprimit./KP