KONKURSI I UP, 650 APLIKANTË NË DITË, MJEKËSIA MË E KËRKUARA

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve të rinj për 14 fakultetet e saj. Për vitin akademik 2021/22, UP do të pranojë 6247 studentë të rinj, prej tyre 739 studentë janë kuotë e përcaktuar për komunitetet jo shumicë. UP ka kuota të veçanta edhe për aplikantët nga trojet e tjera shqiptare. Është paraparë të pranohen 124 studentë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, 124 të tjerë nga Shqipëria dhe Maqedonia dhe 69 studentë nga Mali i Zi.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, thotë për KosovaPress se Fakulteti i Mjekësisë mbetet më i preferuari i maturantëve kosovarë e për të cilin ka shumë interesim për regjistrim. Në këtë fakultet, mjekësia e përgjithshme mbetet drejtimi më i kërkuar. Për vitin e ardhshëm akademik ky fakultet ka hapur konkurs për pranimin e 420 studentëve në total, me Mjekësinë e Përgjithshme që do të pranojë numrin më të lartë prej 150 studentëve të rinj.

Sipas Sahitit, interesim të shtuar ka edhe për drejtimin e Psikologjisë, në të cilën janë parapa të pranohen 100 studentë të rinj, pastaj në Juridik ku do të pranohen 800 studentë të rinj, pastaj drejtimi i Gjuhë dhe Letërsi Angleze ku do të pranohen 120 studentë në total.

Sahiti: Interesim më i madh në drejtimet e Fakultetit të Mjekësisë

“Drejtimet në të cilat është shpreh deri më tani interesimi më i madh është drejtimi në Fakultetin e Mjekësisë, sidomos në Mjekësi të Përgjithshme, pastaj në Psikologji, në Fakultetin Juridik, në Gjuhë dhe Letërsi Angleze, në një program të Inxhinierisë Elektrike, programin Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike, në programet e Edukimit Fillor në Fakultet të Edukimit, këto janë pak a shumë programet ku interesimi është më i lartë, por kjo është një çështje shumë dinamike që ndryshon nga dita në ditë, prandaj të shohim deri në fund a po mbetet interesimi vetëm në këto drejtime apo edhe në ndonjë drejtim tjetër ku numri i kandidatëve është më i madh sesa ne që pranojmë”, deklaroi Sahiti.

 

Sa i përket numrit, rektori i UP-së thotë se për katër ditët e para të konkursit kanë aplikuar 2600 kandidatë, ose 650 kandidatë në ditë.

Sahiti: 2600 studentë kanë aplikuar që nga 6 gushti

“Nga dita që është hap mundësia e aplikimit për studentë (deri më 10 gusht) gjithsej kanë aplikuar 2600 studentë që i bie afërsisht rreth 650 studentë në ditë aplikojnë nëpër programe të ndryshme të Universiteti të Prishtinës”, deklaron ai.

Studentët e rinj si dhe ata aktualë ende nuk e dinë nëse mësimin do ta nisin më prezencë fizike. Rektori Sahiti thotë se për këtë do të presin vendimin qeveritar ndonëse dëshira e tyre është të jenë në auditorët e fakulteteve.

Me këtë rast, ai ka bërë thirrje profesorëve dhe studentëve që të vaksinohen pasi kjo do ta bëjë më të lehtë vendimmarrjen.

Sahiti: Shpresojmë që do kalojmë në mësimin në formë fizike

“Po ne jemi duke i përcjellë numrat e të infektuarve nga dita në ditë, ne kemi shumë shpresë që do të kemi mundësi më në fund të kalojmë në formën e mësimit me prezencë fizike por kjo nuk është një çështje e cila varet vetë nga vendimmarrja e Universitetit të Prishtinës, ne jemi të obliguar ti respektojmë edhe vendimet e të gjitha instancave përgjegjëse për këtë çështje, instancat shëndetësore edhe të Qeverisë, por një faktor shumë me rëndësi është se numri i stafit mësimdhënës të cilët vaksinohen, tash po duket që ka numër të mjaftueshëm të vaksinave prandaj të mos presim më tutje, nuk kanë pse të hezitojnë nuk ka ndonjë informatë për ndonjë komplikim serioz që kemi dëgjuar kështu që sa më shumë që stafi mësimdhënës vaksinohet brenda mundësive edhe studentët atëherë kjo do ta lehtësojë edhe më shumë procesin e vendimmarrjes lidhur me vendimin e mësimit me prezencë fizike”, deklaroi Sahiti.

Ndryshe, konkursi i Universitetit të Prishtinës do të jetë i hapur deri më 24 gusht, ndërsa provimet pranuese do të mbahen nga 31 gusht deri më 4 shtator sipas fakulteteve.

Sipas fakulteteve, Fakulteti Filozofik me 7 departamentet e tij do të pranojnë gjithsej 610 studentë, Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore me pesë departamentet e tij do të pranojë 555 studentë në total, Fakulteti i Filologjisë do të pranojë 675 studentë, ndërsa Fakulteti Juridik 800.

Fakulteti Ekonomik me 6 departamentet e tij do të pranojë numrin më të lartë të studentëve, gjithsej 1250 studentë. Fakulteti i Ndërtimtarisë me katër programe ka hapur konkurs për pranimin e 300 studentëve të rinj, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike do të pranojë 350 studentë, njëjtë sikurse edhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike që ka paraparë gjithashtu pranimin e 350 studentëve të rinj.

Fakulteti i Mjekësisë do të pranojë 420 studentë të rinj, ndërsa Fakulteti i Arteve të Bukura me 3 departamente por me më së shumti programe do të pranojë 187 studentë në total, ndërsa Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë ka paraparë të pranojë 390 studentë të rinj.

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit do të pranojë 100 studentë për vitin e ardhshëm akademik, Fakulteti i Edukimit 160 studentë si dhe Fakulteti i Arkitekturës 100 studentë të rinj./KP