KOSOVA PËRBALLË NJË KRIZE ENERGJETIKE

Partitë opozitare në Kosovë, në seancën e Kuvendit të mbajtur të hënën, kanë ngritur shqetësim për mungesën e energjisë elektrike, me të cilën kanë nisur të përballen qytetarët dhe ekonomia në përgjithësi.

 

Kosova, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hyrë në një krizë energjetike dhe për këtë ai ka kërkuar nga qeveria një strategji, si do t’i qaset këtij problemi.

“Si do ta kalojmë këtë dimër, sa i vështirë do të jetë për qytetarët për vendin për ekonominë dhe çfarë strategjie do të ndjekim në të ardhmen?”, pyeti Haradinaj.

Ndërprerjet e energjisë ditëve të fundit në Kosovë janë evidente. Reduktimet e herëpashershme paralajmërohen edhe përmes njoftimeve zyrtare nga Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

Pamundësia për të përmbushur kërkesat për energji elektrike i ka theksuar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ajo ka bërë të ditur se të hënën në mëngjes, termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ në Obiliq kanë arritur të prodhojnë 759 megavatë, derisa kërkesa për energji ka qenë 1,113 megavatë.

“Treqindepesëdhjetekatër megavatë jemi duke i prodhuar më pak sesa që është kërkesa”, tha Rizvanolli.

Korporata Energjetike e Kosovës, sipas ministres Rizvanolli, është duke bërë përpjekje maksimale që të fusë në operim edhe bllokun e tretë të termocentralit ‘Kosova A’, që sipas saj, do të ndihmonte me 120 megavatë të tjera.

“Për të përmbushur kërkesat me energji elektrike në sezonin e dimrit, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor është duke u marrë me prioritet të licencimit të kapaciteteve të impiantit të erës të ndërtuar në fshatin Selac, që do të shtojë edhe 60 megavatë”, tha Rizvanolli.

Haradinaj: Projektet e refuzuara rrezikojnë të ardhmen energjetike

Ndërkohë, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kriza energjetike në të cilën do të futet Kosova, është si pasojë edhe e refuzimit të projekteve energjetike nga Qeveria e kryeministrit, Albin Kurti, siç ishte projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë.

Duke iu përgjigjur Haradinajt, ministrja Rizvanolli tha se termocentrali “Kosova e Re” ishte një projekt i dështuar dhe i papërshtatshëm për sistemin energjetik të Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket projektit për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë, Rizvanolli nuk e përjashtoi si mundësi.

“Kjo do të bëhet vetëm nëse shihet që është opsioni më i lirë dhe më i mirë për qytetarët e Kosovës”, tha ajo.

Ministria e Ekonomisë, ndërkohë është duke e hartuar Strategjinë e Energjisë 2022-2031.

Kjo strategji, sipas ministrisë, do të analizojë të gjithë skenarët potencialë dhe të përballueshëm financiarisht për të rritur stabilitetin e furnizimit me energji, si dhe të ofrojë mundësinë e integrimit sa më të madh të burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Kurti: Kriza energjetike po troket në dyert tona

Evropa tash e sa javë është përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë.

Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor si në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Të dy nga këto shtete kanë shpallur krizë energjetike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kriza energjetike, ashtu si në shtetet tjera, po troket edhe në Kosovë. Këtë çështje, Kurti tha se e kanë adresuar edhe në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Ai tha se po punojnë bashkë me Korporatën Energjetike të Kosovës, KEDS-in dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), që të gjejnë zgjidhjen më të mirë, në mënyrë që të ketë edhe furnizim të qëndrueshme, por edhe ta zbusin krizën energjetike.

“Konsumi është shumë më i madh edhe për shkak të stinës së dimrit edhe për shkak se mënyra jonë edhe e punës edhe e banimit edhe jetesës është e organizuar përmes ngrohjes nga termocentralet, por që edhe energjia elektrike është e lirë dhe konsumi është i kollajshëm”, tha Kurti.

Kryeminsitri Kurti tha se çmimet e energjisë në bursë janë shumëfishuar dhe as Kosova nuk mund të ngelet ne një situatë të favorshme me çmime, siç është aktualisht.

Konsumatorët e Kosovës paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

Krahasuar me vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut, Serbia e Shqipëria, rryma në Kosovë është më e lirë për 3 deri në 4 centë.

Sipas zyrtarëve të KEDS-it, çmimi në Kosovë nuk pritet të ndryshojë së paku deri më 1 prill, 2022, kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të bëjë rishikimin e rregullt të tarifave.

Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE) dhe KEDS-i kanë kërkuar nga qytetarët që ta kursejnë rrymën, në mënyrë që të mos vijë deri te mungesat.