KOSTT DEL ME NJOFTIM LIDHUR ME MUNDËSINË E NDALJES SË RRYMËS SONTE

KEDS njoftoi më herët gjatë ditës se ka siguruar import të mjaftueshëm për të siguruar rrymë pa kufizime me rastin e ndërrimit të motmoteve.

 

Por, KEDS tha se problematikë paraqesin Malisheva dhe rajoni i Ferizajit ku si shkak i mbingarkesave mund të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, shkruan lajmi.net.

E në lidhje me këtë ka reaguar edhe KOSTT-i.

Ky i fundit në një komunikatë për media ka thënë se nuk ka dhënë udhëzime për ndërprerje.

Sipas tyre, nëse ka të tilla, ato nuk janë të ndërlidhura me KOSTT.

Njoftimi i plotë nga KOSTT:

Njoftohen qytetarët e vendit që bazuar në përgatitjet dhe planifikimet e operatorëve përgjegjës në tregun e energjisë elektrike në Kosovë për sigurimin e energjisë së nevojshme për mbulim të konsumit, përfshirë edhe mbështetjen nga Republika e Shqipërisë, sot me 31 dhjetor 2021 nuk do të ketë kufizime në furnizimin me energji elektrike me udhëzim të KOSTT për qëllime të balancimit të sistemit.

KOSTT gjithashtu njofton që sa i përket kapaciteteve të sistemit të transmetimit nuk ka fyte të ngushta në asnjë komunë andaj kufizimet eventuale si pasojë e mbingarkesës në rrjetin e distribuimit nëpër komuna përfshirë Malisheva nuk janë të ndërlidhura me KOSTT.

Gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës e cila ndër të tjera është reflektim i krizës globale energjetike, do të përballohet më me lehtësi me mbështetjen edhe të të gjithë qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale dhe duke kursyer aty ku është e mundur.

Angazhimi dhe kontributi i secilit është i rëndësishëm për të shmangur mosbalancën e theksuar në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe energjisë së siguruar në dispozicion për të evituar zbatimin e masave të parapara me Kodin e Rrjetit/Kodi Operativ si masë e fundit për veprim të nevojshëm për balancim të sistemit, me qëllim të ruajtjes së integritetit të sistemit dhe kontribuar në balancimin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës dhe të sistemit interkonektiv të Evropës Kontinentale.

Urojmë të gjithë qytetarëve festim të mbarë në natën e ndërrimit të motmoteve!.