KRYEDIPLOMATI AUSTRIAK THOTË SE SITUATA NË BALLKAN ËSHTË E BRISHTË

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Linhart, me rastin e zgjerimit të pjesëmarrjes së ushtarëve dhe policëve austriakë në misionet ndërkombëtare, vlerësoi se situata e sigurisë në Ballkan është e brishtë.

 

Kryediplomati austriak theksoi se është e rëndësishme që të ketë kujdes më të madh për stabilitetin, sigurinë dhe miqënien në këtë rajon, sepse pasojat mund t’i vuajë edhe Austria.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit austriak, Helmut Brandstetter për situatën e sigurisë në Ballkan, Linhart tha se në Kosovë shpesh lindin tensione, por se me ndërmjetësimin e BE-së, konfliktet zgjidhen ngadalë, transmeton Gazeta Express.

“Evropa duhet t’ua japë një dorë vendeve të Ballkanit”, tha Linhart.

Parlamenti austriak ka vendosur ta zgjasë mandatin rreth 600 ushtarëve në KFOR-it. Gjithashtu u vendos që të vazhdohet me dislokimin e deri në 10 policëve në misionin EULEX, si dhe vendosja e një zyrtari ndërlidhës policor në kuadër të misionit të UNMIK-ut. Gjithashtu, mandati i 400 ushtarëve të ushtrisë austriake në misionin EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë u zgjat.

Është miratuar edhe vazhdimi i pjesëmarrjes në misionin e OSBE-së në Mal të Zi me dhjetë pjesëtarë të Ministrisë së Mbrojtjes austriake.