KRYEZIU: MARRËVESHJA ME SERBINË MUND TË ARRIHET BRENDA MANDATIT QEVERISËS

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda mandatit të kësaj qeverie.

 

Kryeziu ka deklaruar se kjo marrëveshje duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe duhet të jetë në dobi të qytetarëve.

“Ka gatishmëri nga ana jonë që të marrim pjesë në takimet, ftesat nga ndërmjetësuesi në kuadër të këtij procesi. Nuk është diçka që varet nga Republika e Kosovës. Megjithatë kryeministri Kurti ka deklaruar se një marrëveshje ligjërisht e obligueshme mund të ndodh përgjatë mandatit të tij, i cili përkon edhe me mandatin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me mandatin e administratës së Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Kryeziu në Klan Kosova.

“Ne kemi gatishmëri për të marrë pjesë por gjithmonë duke i ruajtur parimet tona në një marrëveshje e cila duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe me një marrëveshje e cila është në dobi të qytetarëve para së gjithash”.

Ai theksoi se qeveritë e kaluar janë treguar joserioze në procesin e dialogut me Serbinë.

“Ne e kemi trajtuar dialogun me seriozitet duke thënë se duhet përgatitje e nevojshme. Nuk ka mjaftuar asnjëherë qasja e qeverive të kaluara ku kanë deklaruar se e kanë prioritet por në mungesë të përgatitjeve kanë shpërfaqur një lloj mosserioziteti ndaj një teme e cila megjithatë është shumë e rëndësishme. Dhe kjo qeveri duke u nisur nga këto premisa ka ndërtuar një qëndrim dhe qasje të qartë sa i përket dialogut dhe këtë do ta përcjell edhe gjatë viteve të radhës”.

Zëdhënësi i ekzekutivit shtoi se në një shoqëri e cila është multietnik, nuk mund të ketë Asociacion një etnik.

“Intensiteti i procesit të bisedimeve me Serbinë nuk përcaktohet vetëm nga Kosova. Për tema të cilat do të diskutohen për gjatë këtij procesi duhet të ketë pajtueshmëri nga të dyja palët. Sa i përket Asociacionit të Komunave, në një shoqëri që në shtyllë të saj ka karakterin multietnik dhe për të cilin ka një interpretim të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të ketë Asociacion një etnik”.