KUKA: ME UJË, ZJARR E XHUDON E KOSOVËS NUK KA LOJË

Trajneri i ekipit olimpik të xhudos Driton Kuka përmes rrjetit të tij social “Facebook” ka njoftuar që ekipi i tij i ka mbyllur garat në Lojërat Olimpike, dhe se medaljet olimpike për popullin shqiptar së shpejti do të zbarkojnë në Kosovë.

Xhudistët e ekipit olimpik të Kosovës i përfunduan garat me dy medalje të arta olimpike, ku fillimisht ishte Distria Krasniqi ajo e cila ia solli medaljen e parë Kosovës në “Tokio 2020”, dhe më pas xhudistja Nora Gjakova, përcjell KosovaPress.

Kosova me dy medaljet e arta olimpike në “Tokio 2020”, tani numëron tre medalje olimpike, pas asaj të Majlinda Kelmendit në “Rio 2016”, e cila është edhe medalja e parë e artë olimpike për Kosovën.

“Ende po më duket si ëndërr e mirë, pesë garues e dy të arta. Medaljet janë të krejt ekipit me protagonistë Disin e Norën! Ashtu siç ishte e arta e Majlindës. Ekipi jemi ne që stërvitim, gëzohem e qajmë së bashku në fitore e humbje, aty qëndron forca jonë e madhe. Kemi në krye Agronin që çdo ditë duron tekat e mia të trajnerit, por kjo krejt është shpaguar”, tha Kuka.

“2 Olimpiada, 3 medalje të arta. Me dhjetëra medalje Evropiane e Botërore. Këta jemi ne, shqiptarët kudo që jemi. Jam mirënjohës miq për aq shumë mesazhe e urime prej dhjetëra mijëra miqve. Ata që kanë menduar që medalja e artë e Majlindës është e para dhe e fundit, jeni mashtruar në llogari. S’po flas më shumë për sojin e juaj se s’dua ta prish festën e madhe! E kam thënë edhe më herët, me ujë, zjarr e xhudon e Kosovës s’ka lojë!”, shtoi trajneri Kuka./KP