KURTI: PËRVEÇ SOLIDARITETIT, STREHIMI I AFGANËVE E KA EDHE DIMENSIONIN E ALEANCËS ME SHBA-NË

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar rreth çështjes së strehimit në Kosovë të refugjatëve nga Afganistani. Kurti ka thënë se përveç aspektit të solidaritetit, strehimi i tyre është edhe dimension i aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë aleati kryesor e partneri strategjik i pazëvendësueshëm për Kosovën.

Kurti: Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani është dimension i aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

“Ne i kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatin kryesor dhe partnerin strategjik të pazëvendësueshëm dhe çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë e ka gjithashtu edhe dimensionin e aleancës dhe partneritetit me shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se ka një muaj që Qeveria e Kosovës është në komunikim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth kësaj çështjeje, për çka tha se janë caktuar ekipe që po merren me strehimin e tyre në Kosovë.

Kurti: Ne jemi shtet serioz, tash e një muaj jemi marr pa zhurmë me çështjen e refugjatëve nga Afganistani

“Ka një muaj që Qeveria e Republikës së Kosovës është në kontakt, komunikim dhe bashkëpunim të rregullt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të përgatitur në aspektin organizativ., logjistik, teknik por edhe të sigurisë e social strehimin dhe mbrojtjen e një numri të refugjatëve nga Afganistani. Ne jemi shtet serioz dhe tash e një muaj këtë punë e kemi bërë pa zhurmë dhe me shumë kujdes meqenëse çështja e refugjatëve nga Afganistani është jo vetëm një çështje e dhimbshme njerëzore por edhe një çështje e ndjeshme e sigurisë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë para mediave se hollësitë e strehimit dhe mbrojtjes së refugjatëve nga Afganistani janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shifrat, kohëzgjatja dhe vendi i strehimit do të bëhen të ditura./KP