KURTI TAKON BORDIN E PËRKOHSHËM TË “IBËR-LEPENCIT”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim Bordin e përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, me të cilin ka biseduar mbi sfidat me të cilat përballet kjo ndërmarrje.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj dhe udhëheqësi i Njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike, Besim Imeri.

Kurti theksoi rolin e rëndësishëm që ka bordi, si mekanizëm përmes së cilit Qeveria si aksionare sigurohet për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve, të cilat në kushte normale do të duhej të siguronin dividentë për buxhetin e shtetit, por në fakt shpesh janë të varura nga subvencionet e janë barrë e taksapaguesve.

U bisedua për sfidat me të cilat përballet ndërmarrja hidroekonomike, si rezultat i keqmenaxhimit dhe kontratave të dëmshme, trashëguar nga bordet e kaluara, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Njësinë për monitorimin e ndërmarrjeve publike.

Ndryshe, Bordi i përkohshëm i Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” kryesohet nga Hajrije Morina, dhe anëtarët e tjerë, të votuar në mbledhjen e 17-të të Qeverisë së Kosovës, më 25 qershor 2021./KP