KURTI TAKON UDHËHEQËSEN E KOMITETIT AMERIKANO-HEBRAIK, AVITAL LEIBOVICH

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur sot në takim udhëheqësen e Komitetit Amerikano-Hebraik, Avital Leibovich, të cilën e ka informuar mbi planet dhe programin qeveritar të përqendruar në punësim dhe drejtësi.

Leibovich, e cila është ish-nënkolonele e forcave rezervë të shtetit të Izraelit,

tha se për zhvillim ekonomik dhe tërheqje të investimeve nevojitet mërgatë e konsoliduar dhe e bashkuar. Ajo premtoi angazhim për të lobuar te kompani të ndryshme izraelite, që do të mund të orientonin investimet e tyre në Kosovë.

Avital Leibovich është nderuar nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me medaljen “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Ajo është gruaja e parë nga Lindja e Mesme që ka marrë këtë çmim prestigjioz shqiptar.

Kjo medalje u jepet njerëzve që kanë kontribuar në sigurinë, zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë./KP