KUVENDI ME 67 VOTË PËR E ZGJEDH VLORA SPANCA NË POZITËN E AUDITORES SË PËRGJITHSHME

Me 67 votë për, 9 vota kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Vlora Spanca në pozitën e auditores së përgjithshme të Kosovës. Zgjedhjen e saj në këtë pozitë e ka kundërshtuar opozita, duke thënë se e njëjta është motra e njërës nga këshilltaret e kryeministrit Albin Kurti.

Tashmë Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, në këtë pozitë është propozuar nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar që ky proces duhet të kthehet në pikën zero, kjo për shkak se sipas tij, e propozuara për këtë pozitë është motra e njërës nga këshilltaret e kryeministrit Albin Kurti.

Tahiri: Si Grup Parlamentar mendojmë që ky proces duhet të kthehet në pikën zero

“Si Grup Parlamentar mendojmë që ky proces duhet të kthehet në pikën zero. Gjatë procesit mendoj që ka qenë një proces që lënë shumë për të dëshiruar, po edhe fakti që personi i cili është rekomanduar që të votohet sot në Kuvendin e Kosovës është motra e njërës nga këshilltaret e kryeministrit të Republikës. Mendoj që një fakt i tillë e bënë të papranueshëm, do të thotë Auditori i Përgjithshëm në Republikën e Kosovës mendoj që është një institucion tepër i rëndësishëm që bënë auditimin e pasqyrave financiare dhe mendoj që lidhje të tilla politike do ta dëmtojnë edhe imazhin e këtij institucionit”, tha ai.

Tahiri tha se edhe fakti i tërheqjes së disa personave nga ky proces, ndikon që i gjithë procesi të vlerësohet si jotransparent.

Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se fakti që e propozuara është motra e këshilltares së kryeministrit Albin Kurti nuk duhet ta marrë këtë pozitë.

Sipas tij, emërimi i të njëjtën do t’ia humbte kredibilitetin institucionit të ZKA-së.

Zemaj: Do të ishte njollë e keqe për vet Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm

“Duke e marrë për bazë që motra e saj është këshilltare e kryeministrit dhe vepron në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, mendoj që do të ishte një hendikep dhe do të ishte njollë e keqe për vet Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i LVV-së Eman Rrahmani, ka reaguar ndaj akuzave të opozitës, për çka tha se e njëjta është poentuar me pikët maksimale nga Ambasada Britanike.

Rrahmani: Kandidatja është poentuar me pikët maksimale nga Ambasada britanike

“Ky proces nuk organizohet vetëm nga një institucion ose një kategori, mirëpo pjesë e komisionit janë Guvernatori i BQK-së, janë nga shoqëria civile, janë nga Kuvendi, janë po ashtu edhe nga presidenca. Përveç të gjitha këtyre ka qenë në proces edhe kompania nga Ambasada britnaike, ku në rastin konkret kandidatja është poentuar me pikët maksimale nga Ambasada britanike, kurse ka dalë e dyta nga Komisioni i cili është formuar nga presidenca. Andaj, nëse edhe këtu mundeni me akuzu se kemi ndikuar apo kemi bërë që të jetë ky rezultat mendoj që është goxha absurde dhe nuk ka asnjë bazë”, tha ai.

Mandati i Auditores së përgjithshme është 5 vjeçar. /KP