LATIFI: S’DO T’I LËMË SPECIALIZANTËT TË NA IKIN

Ministria e Shëndetësisë (MSh) për vitin 2022 prioritet do ta ketë sistemi informativ shëndetësor dhe trajtimin e përgatitjen e specializantëve, kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, ministri Rifat Latifi.

 

Megjithatë, ministri Latifi shtoi se është larguar edhe vetë nga Kosova për në Amerikë në mungesë të kushteve për specializim.

“Pse s’po më pyet mua pse kom ikur unë nga Kosova. Unë kam qenë në specializim në Ortopedi dhe nuk kisha mundësi të specializohem. Prandaj kam shkuar në Amerikë. Nëse ne nuk iu krijojmë kushtet specializantëve për punë, nëse nuk e transformojmë edukimin post-diplomik dhe nuk krijojmë specialist të mirë dhe ata që i krijojmë na ikin”.

Poashtu, ministri Latifi thotë se shumë shpejt do ta ketë gati programin për shëndetësi.

“Prioritet do të jetë sistemi informative shëndetësor, trajtimi dhe përgatitja e specializantëve, ngritja e kualitetit pastaj na duhet të kryejmë edhe punë të tjera duke u nisur nga bordet. Ministria ka punë të tjera afatgjate. Na leni pak kohë dhe kur ta bëjmë programin për shëndetësinë ju thërrasim. Ishalla e gjejmë vitin 2022 shëndoshë edhe nuk kemi raste të mëdha, të vdekjes dhe fatale”.

Doktori Latifi foli edhe për menaxhimin e pandemisë, duke theksuar se Qeveria ka punuar mjaft mirë këtë drejtim, transmeton EO.

“Nëse diçka kemi menaxhuar mirë vitin e kaluar është menaxhimi i pandemisë. Fatkeqësisht Kosova ka humbur shumë njerëz afro 3 mijë persona. Prandaj Ministria dhe Qeveria ka menaxhuar shëndetësinë me mjetet dhe personelin shëndetësor në mënyrën më të mirë”, tha Latifi.