LISTA GUXO PRITET TË KETË 4 DERI 5 KANDIDATË PËR KRYETAR NË ZGJEDHJE LOKALE (VIDEO)

Lista Guxo nën logon e Lëvizjes Vetëvendosje do të ketë 4 deri 5 kandidatë për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale. Ish Lista e presidentes, Vjosa Osmani do të ketë kandidatin për kryetar në komunën e Istogut, Obiliqit dhe Dragashit. Derisa janë në diskutime me Vetëvendosjen që edhe kandidati për kryetar në komunën e Malishevës të jetë i Listës Guxo. Të njëjtit, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, pritet të garojnë në një listë të përbashkët.

Anëtari i Listës Guxo, njëherësh edhe deputeti, Haxhi Avdyli në një intervistë për KosovaPress, thotë se kandidatët për kryetar do të jenë figura të reja, e jo njerëzit kryesor të Listës Guxo që kanë poste në legjislativ ose ekzekutiv. Për KosovaPress, Avdyli flet edhe largimin e disa anëtarëve nga Lista Guxo. ndryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar dhe gatishmërinë e tij për të marrë postin e ministrit të Shëndetësisë.

Krahas këtyre kandidaturave për kryetar, deputeti i mazhorancës thotë se në secilin qytet do të kenë edhe kandidatët për asamble, varësisht prej fuqisë politike.

Avdyli: Në 4-5 komuna ka pajtim që Lista Guxo të ketë kandidat për kryetar

“Akoma nuk e kemi përfunduar gjithë këtë proces, shumë shpejtë do të dalin emrat, do të kemi disa komuna, këto komuna nuk do të jenë ato komuna më të mëdha, por disa më të vogla…Istogu është njëra prej komunave të cilën do të jetë, pastaj mund të jetë Dragashi, Obiliqi dhe disa komuna të tjera, ku ne kemi mundësitë. Por janë edhe një numër e komunave që do të kemi një unitet në kandidaturën e përbashkët, LVV-GUXO. Aty do të jetë një personalitet që do të përkrahim dy palët. Por sidoqoftë janë diku, minimalisht 4-5 komuna që ka dakordim që Lista Guxo të ketë kandidat për kryetar…Në shumicën e komunave tjera ne do të kemi kandidatura për asamble, varësisht prej forcës tonë dhe interesimit. Në Prizren do të kemi shtatë kandidatura, në Mitrovicë do të kemi tetë kandidatura për asamble, po ashtu edhe në komuna të tjera. Besoj që do të jenë kandidatura shumë të respektuara”, thotë ai.

Ani pse nuk i bëri publik emrat e kandidatëve të Listës Guxo që pritet të garojnë në këto komuna, Avdyli thotë se të njëjtit nuk do të jenë ndër figurat kyçe të partisë.

Avdyli: Kandidatët për kryetar janë figura të reja

“Janë më shumë figura të reja që kanë qenë pjesë e jona, në të kaluarën kanë qenë pjesë e LDK-së, tash pjesë e Listës Guxo. Por figura kryesore, ne që kemi qenë themelues të Listës Guxo nuk besoj që do të jemi kandidatë për komuna”, deklaron Avdyli.

Lidhur me pakënaqësitë dhe ndarjet brenda Listës Guxo, Avdyli thotë se zgjedhjet janë personale të gjithsecilit.

Avdyli: Dikush mund të ketë mospajtime, është zgjedhje e tyre

“Kanë kaluar disa individë, por gjithmonë zgjedhjet janë personale dhe respektojmë ato. Normalisht ne nuk mund t’i shkelim parimet që jemi themeluar dhe kemi krijuar një entitet. Dikush mund të ketë mospajtime dhe ka pasur raste që dikush nuk iu kanë plotësuar ambicien politike”, shton ai.

Sa i përket mundësisë që të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, Avdyli e pohon një gjë të tillë, derisa thotë se është i gatshëm të kontribuojë edhe në pushtetin ekzekutiv.

Avdyli: Do të ketë ndryshime në Qeveri, jam i gatshëm të kontribuoj në ekzekutiv

“Kjo është çështje e kryeministrit, i cili është udhëheqësi kryesor i qeverisë. Mendoj se kryeministri do ta bëjë ekipin e vet, këto ndryshimet kanë me ndodhur, pasi besoj që disa ministra kanë me qenë kandidat dhe besoj se do të jetë fitues, pasi janë emra të respektuar në qytetet ku garojnë. Në momenti ne duhur kryeministri do të merr vendimet e duhura. Ne jemi të gatshëm të kontribuojnë aty ku na mundësohet, në Kuvend, Qeveri apo kudo”, thotë deputeti Avdyli.

Lista Guxo edhe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka garuar në një listë me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa tash janë në bashkëqeverisje dhe kanë shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës./KP