LUSHTAKU SFIDON VENDIMIN E SUPREMES, INSISTON SE DO TË JETË NË QEVERISJE TË SKENDERAJT MË 17 TETOR (VIDEO)

Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka reaguar pasi i është pamundësuar të garojë në zgjedhjet e 17 tetorit për kryetar të komunës. Lushtaku ka thënë se për këtë vendim është bërë presion nga presidentja dhe kryeministri, ndërsa bindës u shpreh se do të jetë fitues, pavarësisht se pas vendimit të Gjykatës Supreme që ia vërtetoi dënimin, atij nuk i lejohet të kandidojë. “Duke parë përkrahjen e madhe të cilën e ka PDK në Skenderaj dhe unë si kryetar dege e kandidat për kryetar të komunës, për të ma pamundësuar kandidimin tim është bërë presion i madh mbi institucionet e pavarura e ato të drejtësisë. Ky presion është bërë nga dy krerët shtetërorë, presidentja e kryeministri”, ka thënë përmes një videoje në Facebook. Sipas tij, kjo është një tendencë për ta rrëzuar PDK-në në Skenderaj, ashtu si në zgjedhjet parlamentare. “Tendencën për ta rrëzuar PDK-në në Skenderaj struktura e grupe të caktuara kanë pasur edhe në zgjedhjet parlamentare që kanë punuar në favor të partive tjera por kanë dështuar. Edhe në këto zgjedhje prapë do të dështojnë”. “Edhe pse po pengohem, unë i siguroj qytetarët se me besimin e tyre me 17 tetor për PDK-në, unë do të jem në krye të qeverisjes së Skenderajt”, theksoi Lushtaku./Koha.net