LVV KOALICION ME AAK-NË PËR BALOTAZHIN NË VITI

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje koalicioni në Komunën e Vitisë për raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet më 14 nëntor.

Lajmin e ka bërë të ditur dega e AAK-së në Viti, derisa njoftimin e njëjtë e ka shpërndarë edhe qendra e LVV-së në këtë komunë.

Me anë të kësaj marrëveshje AAK do ta mbështes kandidatin e LVV-së në balotazh.

“Konform statutit, dhe pas konsultimit me të gjitha strukturat dhe anëtarësinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës AAK, Dega e Aleancës Për Ardhmërinë e Kosovës në Viti ka marrë vendim që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për Kryetar të Komunës së Vitisë të mbështesim kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Arsim Ademi”, thuhet në njoftim e AAK-së.

AAK njofton se çdo deklarim tjetër i ndonjë zyrtari apo anëtari të AAK-së do të mbetet qëndrim personal.

“Përmes kësaj deklarate, njoftojmë gjithë opinionin se Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës AAK, Dega në Viti me të gjithë strukturat e saj është në mbështetje të fuqishme për Dr. Arsim Ademin, për Kryetar të Komunës së Vitisë, çdo deklarim ndryshe nga cilido individ, që është ndryshe nga vendimi/vullneti i Kryesisë së Degës është opinion personal dhe nuk paraqet qëndrimin zyrtar të Degës”.

Nga sot kandidati i LVV-së sipas tyre do të jetë edhe kandidat i AAK-së për kryetar të Vitisë.

“Për Degën e AAK-së, në Viti, nga sot z. Arsim Ademi është kandidat edhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me bindjen se nga nesër do të jetë edhe Kryetar i Komunës së Vitisë”, thuhet në njoftim.

Në balotazhin e 14 nëntor për postin e kryetarit të Vitisë do të garojnë, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës Sokol Haliti  që është edhe kryetar aktual, dhe kandidati i LVV-së Arsim Ademi.

Në Viti AAK nuk ka pasur kandidat për kryetarë të komunës, derisa në asamble kjo parti ka marrë 754 vota apo 4% duke siguruar një asamblist në kuvendin komunal./Telegrafi/