MEMLI KRASNIQI URON SHBA PËR DITËN E PAVARËSISË

Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, ka përgëzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se lindja dhe ngritja e kombit të madh amerikan i ka dhënë dhe i jep botës gjithmonë siguri e mirëqenie dhe ka mishëruar vlerat më të mëdha njerëzore si liria e demokracia.

“Liria dhe pavarësia e Kosovës janë pashmangshëm të lidhura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova i është mirënjohëse pafundësisht mbështetjes amerikane në rrugëtimin e vet të shtet-ndërtimit. Ta ruajmë dhe forcojmë këtë miqësi të shenjtë. Gëzuar 4 korrikun”, shkruan Krasniqi.

4 Korriku shënon 245-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e Pavarësisë është një dokument ku 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.

Dokumenti i Pavarësisë u ratifikua më 4 korrik 1776. Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Dita e Pavarësisë në SHBA festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e fishekzjarrëve./KP