MINIMUM 3 MUAJ PRITJE PËR LETËRNJOFTIM, MPB HESHT

Mungesa e materialit për prodhimin e letërnjoftimeve po u krijon qytetarëve pritje me muaj për t’u pajisur me mjetet identifikuese.

Si shkak i mungesës së materialit, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që të gjithë shtetasve të Kosovës, pavarësisht afatit të skadimit të letërnjoftimit, dokumenti identifikues t’iu konsiderohet i vlefshëm edhe për gjashtë muaj.

Pavarësisht kësaj, qytetarët kanë ankesa të shumta për kohën e gjatë që duhet të presin për t’u pajisur me letërnjoftim.

Ka nga ata që dokumenti identifikues u nevojitet për udhëtim, e që kjo po pamundëson një gjë të tillë.

Qytetari Rafet Makolli, i cili ka aplikuar për letërnjoftim, thotë për KosovaPress se përkundër mungesës së materialit, interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me këtë dokument është i madh, pasi i është dashur të pres në radhë të gjatë.

Makollit me rastin e aplikimit për letërnjoftim në Qendrën e Regjistrit Civil, i është thënë se duhet të presë minimum 3 muaj për të marrë dokumentin.

Makolli: Na u dashtë me prit në radhë për të aplikuar për letërnjoftim

“Sot na u dashtë me prit në radhë për aplikim për letërnjoftim diku 40 minuta përafërsisht, mirëpo na duhet me prit 3 muaj sepse material nuk ka. Nuk është e sigurt 3 muaj, mundet të vazhdojë edhe më shumë”, thotë ai.

Ai tregon se dokumenti identifikues po i duhet, veç tjerash, edhe për udhëtim, e në mungesë të tij, thotë se po ndjehet i pasigurt për të marrë rrugë.

Makolli: S’jam i sigurt të udhëtoj

“S’jemi të sigurt të udhëtoj vetëm me fletën-aplikuese pasi vetëm i ka skaduar afati letërnjoftimit”, thotë ai.

Se mungesa e materialit për prodhimin e letërnjoftimeve po vazhdon të jetë problem në Kosovë, thotë edhe qytetari Arben Veseli.

Ai tregon për KosovaPress se për pajisje me dokumentin personal kishte aplikuar 3 muaj më parë, e që i ishte thënë se nuk ka material.

Veseli: Para 3 muajve kam aplikuar për letërnjoftim

“Para 3 muajve kam aplikuar për letërnjoftim… S’kemi material kanë thënë atëherë… Shpesh po harxhohet materiali, prapë është harxhuar. Më herët kemi qenë në tjetër komunë, në Shtime, atje më shpejt e kemi marrë”, thotë ai.

 

Ndërsa qytetari Xhevdet Abazi thotë se probleme ka hasur edhe për marrjen e pasaportës.

Abazi: Nuk më kanë njoftuar asgjë për pasaportë

“Unë kam aplikuar për pasaportë prej datës 7 korrik, por deri më tash asnjë mesazh as kurrgjë nuk më ka ardhur. Erdha me pyet se çka u bë me dokumentin. Personeli që jep informacione nuk është në vendin e punës, pastaj kërkova informacione në vende të tjera dhe mezi e mora informatën për çka erdha”, thotë ai.

Qytetarët kanë ngritur pyetje të shumta edhe në rrjetet sociale, ku kanë pyetur nëse mund të dalin jashtë vendit me letërnjoftim të skaduar, porse të shumtë ishin ata që thoshin se u është pamundësuar një gjë e tillë.

Lidhur me këtë çështje, KosovaPress ka tentuar të marrë informacion nga Ministria e Punëve të Brendshme, por që nuk janë përgjigjur./KP