MINISHENGENI I RI, LIDERËT KËRKOJNË ZGJERIM ME SHTETET E TJERA

Në konferencën e Forumit Ekonomik Rajonal të mbajtur në Shkup, kryeministri Shqipërisë, Edi Rama tha se përtej çështjes së hapur në mes të Kosovës dhe Serbisë, nisma rajonale e emëruar sot si “Open Ballkan”, i bënë të barabartë qytetarët dhe bizneset e të dyja shteteve.

Rama tha se shtetet e tjera të rajonit që nuk i janë bashkuar nismës së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, mund ta bëjnë këtë dhe sipas tij bashkëpunimi është zgjidhja e duhur për të gjitha shtetet.

Rama: Nisma rajonale u thotë individëve dhe bizneseve se jeni të barabartë

“Përtej çështjes së hapur në mes të Serbisë dhe Kosovës, kjo nismë i thotë popujve dhe i thotë individëve dhe i thotë bizneseve që ju jeni të barabartë, përtej faktit që në nivelin shtetëror dhe institucional ka një çështje që është ende e hapur dhe që është në rrugën e trajtimit me dialogun e vështirë mes dy vendeve. Tani ky është një oportunitet kolosal, për të gjithë shoqëritë tona, ky është një potencial i madh dhe ne nuk kemi jo luksin që nuk e kemi, por nuk kemi të drejtë si udhëheqës që ta mbajmë këtë potencial të pazhvilluar, nuk kemi të drejtë, nuk kemi të drejtë ti privojmë shoqëritë tona, vendet tona, nga rritja e drejtë ekonomike”, tha Rama.

Sipas Ramës me zbatimin e marrëveshjeve të kësaj nisme rajonale, nga vitit 2023 qytetarët e këtyre shteteve do të lirohen nga problem i pritjes së gjatë në kufi.

Rama: Në janar 2023 do të kemi zero sekonda pritje në kufi

“Ne në janar të 2023 do të kemi mes vendeve tona zero sekonda pritje në kufi, të tjerët janë të mirëseardhur të vinë dhe të na bashkëngjiten, dhe nëse vinë askush nuk i pengon, dhe boll me këtë na ftuan, s’na ftuan, ishim në tiranë, të gjashtë vendet për të diskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë, disa duan disa nuk duan, nuk ka problem, por ajo që thash aty e përsëris këtu, autostradat, hekurudhat, lëvizja e lirë e mallrave, mbase nuk janë e njëjta gjë me demokracinë, por demokraci dhe liri pa këto është shumë e vështirë të kesh dhe ta kesh të pa kërcënuar”, shtoi ai.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka folur edhe për kundërshtimin e Kosovë për minishengenin, ku ndër të tjera tha se “nëse është nënçmuese të nënshkruani Kosovë me yll, atëherë futeni Kosovë me një katror”.

Vuçiq: Nëse është nënçmuese të shkruani Kosovën me yll, atëherë bëjeni me katror

“Kur të jetë dikush i përgatitur të hyjë në këtë nismë atëherë mundet, nëse kërkohet ndonjë lehtësi nga Serbia e për juve është nënçmuese nëse nënshkruani Kosovë me yll atëherë futeni Kosovë me një katror, nuk është problem, sidoqoftë të bëjmë diçka që të bashkëpunojmë të arrijmë rezultate, mos kërkoni justifikime pse nuk ka bashkëpunim, pse ekonomia nuk po funksionon, mos kërkoni justifikim pse qytetarët nuk po jetojnë më mirë… Ne jemi të hapur për të gjithë, por nuk dua personalisht të përsëris për shkak se nuk kuptoj pse duhet të lusim dikë të marrë e të hajë, nuk dua me forcë të bëjë fëmijën tim të hajë, kur të jetë i uritur atëherë do të hajë.”, tha Vuçiq.

E kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se janë të hapur për shtetet që po qëndrojnë jashtë kësaj nisme rajonale, që është Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Zaev: Mbesim të hapur për shtetet që duan t’i bashkohen nismës rajonale

“Mbesim të hapur, çdo njëri të zgjedh, nëse mendojnë që është mirë për qytetarët e tyre. Le të hyjnë në nismën, nëse jo mos të hyjnë, ne hapëm një sërë gjërash që do t’i bijnë benifite qytetarëve tanë, tre shteteve, ekonomike, bizneseve tona”, tha Zaev.

Në kuadër të kësaj nisme, liderët e tri shteteve pritet të takohen sivjet edhe në Beograd e Tiranë.

Tre liderët e kanë emëruar sot minishengenin ballkanik si “Open Ballkan”, në të cilën u bënë thirrje shteteve të tjera në rajon që të bashkohen./KP