MINISTRI I MBROJTJES E PRET NË TAKIM DHE E NDERON ME MIRËNJOHJE KËNGËTARIN ILIR SHAQIRI

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka mirëpritur sot (e enjte) në zyrën e tij këngëtarin e njohur shqiptar, Ilir Shaqirin.

Mehaj përmes disa fotografive të publikuara në rrjetin social Facebook, është shprehur i ngazëllyer që ka pasur rastin të zhvillojë një bisedë me artistin që i ka kënduar aq shumë luftës dhe heronjve të rënë për vendin.

I njëjti i ka dhënë këngëtarit Shaqiri si dhuratë edhe stemën e FSK-së, si shenjë mirënjohje për kontributin e tij artistik.

“Pas një dite shumë intensive, sot ishte kënaqësi të pres në zyrën time, Artistin e Madh të Kombit, këngëtarin tonë të mirënjohur, Ilir Shaqirin. Me këtë rast, Ilirit i shpreha mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për kontributin e tij të madh në kulturën dhe artin kombëtar. Atij i vlerësova edhe rolin e tij të jashtëzakonshëm me krijimtarinë e tij të madhe artistike, në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave më të larta të këngës patriotike, që mbajti gjallë dhe fuqishëm shpirtin patriotik dhe liridashës të popullit tonë në kohë shumë të vështira. Vlerësimi i tij për punën, angazhimin dhe sukseset tona të deritashme ishte nder, por edhe më shumë përgjegjësi, që të vazhdojmë me intensitet edhe më të madh, për realizimin e amanetit të gjithë të rënëve për liri, që u këndoi dhe do t’u këndoj gjithmonë, Ilir Shaqiri”, ka shkruar Armend Mehaj në Facebook.

Ilir Shaqiri përndryshe shquhet si një prej artistëve shqiptarë me kinematografinë më të pasur me këngë patriotike, kushtuar martirëve të luftës së Kosovës në vitet 1997-1999. /Telegrafi/