MINISTRIA E JASHTME NUK PËRGJIGJET PËR PROCESIN E EMËRIMIT TË AMBASADORËVE, KRITIKOHET NGA OPOZITA DHE SHOQËRIA CIVILE

Në Komisionin për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës nuk ka shkuar ende asnjë propozim nga qeveria me emrat e personave që Ministria e Jashtme dhe Diasporës synon t’i dërgojë ambasadorë në shtetet ku po shërbejnë të ngarkuarit me punë. MPJD nuk ka një përgjigje se deri ku ka arritur procesi me përzgjedhjen e diplomatëve të rinj ndërsa deputetët e opozitës dhe shoqëria civile po vlerësojnë se me vonesat në emërimin e ambasadorëve të rinj Kosova mund të dëmtojë raportet me vendet mike.

Në maj të këtij viti, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla mori vendim për shkarkimin e 12 ambasadorëve të emëruar politik, kthimi i të cilëve tha se do të bëhet më 30 gusht, çka sipas saj e pason dërgimi i diplomatëve të rinj.

Gërvalla: Kthimi i ambasadorëve të shkarkuar dhe dërgimi i ambasadorit të ri bëhet më 30 gusht

(Video

“Ambasadorët janë shkarkuar apo liruar nga detyra por kthimi i tyre në Kosovë është data 30 gusht, pra kthimi i ambasadorit aktual dhe dërgimi i ambasadorit të ri do të përfshijnë fazën e dorëzimit të detyrës dhe do të përfshijë fazën e kalimit të detyrës nga njëri në tjetri… Pas datës 30 gusht është ambasadori i ri aty”, kishte deklaruar Gërvalla.

Një javë para afatit të paraqitur nga ministrja Gërvalla, institucioni që ajo drejton nuk ka dhënë ndonjë përgjigje se a do të arrihet emërimi i ambasadorëve të rinj deri më 30 gusht apo deri ku kanë shkuar me përzgjedhjen e atyre që do përfaqësojnë Kosovën në vendet mike.

Por ajo që dihet është se në Komisionin për Punë të Jashtme deri tani nuk ka shkuar asnjë propozim, derisa është e përcaktuar që propozimet e MPJD-së të miratohen në qeveri dhe pastaj të shkojnë për intervistim e verifikim në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja që është anëtare e këtij komisioni, Ariana Musliu-Shoshi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se ende nuk kanë pranuar asnjë propozim për ambasador.

“Në komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë ende nuk ka ardh asnjë propozim për Ambasador. Tani kur e tërë bota është duke u përballë me valën e re të pandemisë e me probleme të shumta Ministrja e sheh më të rëndësishme të rrezitet në plazh e të mos merret me shtetin e vet i cili në më shumë se 80% të shteteve më datë 31 gusht do të mbesë pa ambasadorë”, thotë Musliu-Shoshi në një përgjigje për KosovaPress.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, që është pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme, vlerëson se qeveria po e neglizhon çështjen e emërimit të ambasadorëve, çka sipas saj mund të dëmtojë shtetin në arenën ndërkombëtare.

Kadrijaj: Mungesa e ambasadorëve po e paraqet Kosovën jo serioze në arenën ndërkombëtare

(Audio)

Ne në komision nuk e kemi ende asnjë emër dhe siç e dini tashmë Kuvendi veç është në pushim veror dhe ne nuk do të kthehemi deri javën e tretë të shatorit Kuvendi veç është në pushim dhe kjo çështje është tepër e neglizhuar. Nëse nuk kanë pasur emra për akreditim, nuk është dashur të shkarkohen këta ambasadorë të cilët kanë pasur afat kohor që të qëndrojnë ende ambasadorë deri në gjetjen e ambasadorëve të rinj dhe jo të gjitha këto vende tani të mbetën vakant pa ambasadorë… Ne kemi pasur shqetësim që disa qendra të mëdha kanë qenë pa ambasadorë, dhe tani atyre vendeve u janë shtuar edhe 13 vende të tjera dhe kjo në arenën ndërkombëtare Kosovën ep araqet si jo serioze sepse ambasadori është që përcjellë politikat e vendit me vendet e akredituara, dhe kjo po dëmton subjektivitetin në arenën ndërkombëtare.”,thotë Kadrijaj për KosovaPress.

Kuvendi i Kosovës aktualisht është në pushim dhe punën pritet ta fillojë në javën e tretë të shtatorit.

Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thonë se afati i 30 gushtit mbetët vetëm afat i propozuar nga ministrja Gërvalla dhe nuk parashihet me ligj.

Megjithatë, në aspektin e marrëdhënieve bilaterale me shtetet mike, Kosova mund të dëmtohet me veprime të tilla, thotë Lirika Agusholli.

Agusholli: Qeveria e Kosovës të emërojë sa më parë ambasadorët e rinj

(Video)

“Nga ligji nuk mund të themi se jemi të vonuar, për nga marrëdhëniet bilaterale me shtetet në të cilat kemi ambasadorë që nuk janë aty apo vetëm ushtrues detyre, mund të themi se mund t’i dëmtojmë pak marrëdhëniet por nga ana ligjore nuk ka ndonjë afat kohor që e detyron Ministrinë e Punëve të Jashtme që ta bëjë këtë. E vetmja arsye është dëmtimi i marrëdhënieve bilaterale në mes të shteteve që Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike. Është mirë që sa më shpejtë të bëhet kjo vendosje e ambasadorëve në këto shtete”, thotë ajo.

Procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj parashohin që ministrja e Jashtme të dërgojë për miratim në qeveri propozimet të cilat pastaj i përcjellën Kuvendit të Kosovës, komisioni për Punë të Jashtme e bënë intervistimin dhe përgatit raport për secilin prej tyre, të cilën e dërgon në Presidencë.

 

 

 

Emërimi i ambasadorëve bëhet me dekretin e presidentit të vendit./G.Kadrija

/KP