MIRATOHEN REKOMANDIMET LIDHUR ME PROBLEMET E EVIDENTUARA NË NP KOSTT SH.A.

Me 64 vota për, 15 kundër Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimet lidhur me problemet e evidentuara në NP KOSTT Sh.A, të propozuara nga Komisioni për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Nënkryetarja e komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Jeta Statovci, ka prezantuar rekomandimet ku ndër to ishte që ZKA të bëjë auditim të performancës së ndërmarrjes publike KOSTT Sh.A më së largu deri më 30 shtator 2021.

Statovci: ZKA të bëjë auditim të performancës së ndërmarrjes më së largu deri më 30 shtator 2021

“ZKA të bëjë auditim të menjëhershëm të të gjitha vendimeve nga 1 janar 2015 të cilat kanë të bëjnë me dhënien e pëlqimeve për ndërtim, shfrytëzim të pronës të ndërmarrjes publike KOSTT nga palët e tjera, si dhe projekte që kanë të bëjnë me investime kapitale. Nën dy, ZKA të bëjë auditim të performancës së ndërmarrjes publike KOSTT Sh.A më së largu deri më 30 shtator 2021 me fokus në vendimet në lidhje me strukturën e brendshme organizative. ZKA të auditojë të gjitha marrëveshjet për blerje të energjisë së prodhuar në mes të ndërmarrjes publike KOSTT Sh.A dhe kompanive që operojnë me burime të ripërtëritshme lidhur me pagesat tarifat nxitëse”, tha ajo.

Mbështetje këtyre rekomandimeve i ka dhënë Lëvizja Vetëvendosje, ku deputeti i kësaj partie Armend Muja, tha se viteve të fundit nuk ka pasur asnjë përditësim sa i përket nivelit të humbjeve nga ndërmarrja.

Muja: Shkalla e investimeve në riparime është po ashtu e vogël

“Kërkon një shpjegim sa i përket humbjeve, viteve të fundit nuk ka pasur asnjë përditësim sa i përket nivelit të humbjeve nga ndërmarrja, humbje teknike ose komerciale nga ndërmarrja KOSTT. Një mënyrë për minimizimin e humbjeve janë investimet kapitale ose investimet në riparime, investimet kapitale siç janë aprovuar nga ZRRE në fakt ato nuk janë implementuar, shkalla e implementimit është nën 50 përqind, shkalla e investimeve në riparime është po ashtu e vogël, do të thotë nga 7.5 milionë të alokuara në 5 vitet e fundit vetëm 4.5 prej tyre janë zbatuar. Ne mendojmë që kjo ka shkaktuar një vazhdimësi të humbjeve dhe humbjet që vlerësohet të jenë rreth 5 milionë arsye pse ka relevancë është sepse ato barten në faturat e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku, ka akuzuar pozitën se në mbledhjen kur ka raportuar menaxhmenti i KOSTT kanë larguar mediat nga ajo mbledhje. Ajo tha se deputetët e pozitës janë sjell me arrogancë ndaj Bordit të KOSTT-it, derisa theksoi se sjellja e tyre ka qenë sikurse të ishin prokuror dhe gjyqtarë.

Bunjaku: Synimi i pozitës ishte që të mbyllet çdo informacion nga publiku

“Synimi i pozitës ishte që të mbyllet çdo informacion nga publiku i gjerë, kështu që mbledhja ishte tendencioze apo ju nuk donit që qytetarët t’iu shohin juve se si silleni me arrogancë. Në asnjë mënyrë nuk ka pasur nevojë që të mbyllet mbledhja e komisionit, sepse në dokumentet të cilat na janë adresuar neve deputetëve nuk ka pasur asgjë konfidenciale, bile bile vet personalisht kam kërkuar dhe do të ishte e rrugës që mbledhja të mbahet me dyer të hapura dhe para mediave, para deputetëve edhe para gjithë opinionit sepse Bordi me gjithë profesionalizëm u përgjigj pyetjeve të deputetëve. Sjellja e deputetëve të pozitës ishte përtej gjyqtarëve, prokurorëve, policëve, madje edhe më keq”, tha ajo.

Deputetët me 82 vota për e miratuan edhe raportim me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i cili më herët dështoi të miratohet në mungesë të kuorumit në vendimmarrje.

Në këtë seancë, është formuar edhe Organi Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit./KP