MUSLIU: 23 TË RINJ I THANË “JO” DROGËS GJATË KËTIJ VITI

Dy shkronjat e para të djalit që vdiq nga konsumimi i substancave narkotike, mban emrin qendra që themeloi një nënë nga Ferizaj.

 

23 të rinj të cilat u trajtuan në qendrën këshilluese “Ri-Jeta”, gjatë këtij viti i thanë “jo” konsumimit të drogave. Arjeta Musliu, sfidat e saj i shndërroi në motiv për shumë familje që po ballafaqohen, njëjtë si ajo, me fëmijët e tyre. Ajo ka rrëfyer të shtunën historinë e humbjes së djalit të saj para shumë të rinjve që merrnin pjesë në edicionin e katërt të “LEAPin Prishtina”.

Themeluesja e qendrës së parë të këshillimit “Ri-Jeta”, Arjeta Musliu thotë se disa vjet më parë po ndodhej para një udhëkryqi, pasi humbi djalin e saj.

Musliu: Ishte shumë e vështirë, po zgjodha të mbështes qindra nëna tjera

“Te jetoj nëna pa shpirtin e shpirtit në këtë rast Zoti mori jetën në një moshë shumë të re, djalit tim, si përdorues i substancave narkotike. U ndodha në mes të një udhëkryqi, pas një kohe pasi është e vështirë për t’iu rikthyer jetës dhe për të marrë jetën. Dhe fillova një monolog me vetën. A duhet të jem Arjeta egoiste që nuk do të vret mendjen për askënd tjetër, sepse djali i saj nuk jeton më në këtë botë? Apo duhet të jem ajo nëna, ai zëri për të mbështetur qindra nëna tjera? A mund të jem një adresë që së paku një përqafim i sinqertë do të lehtësojë dhimbjen e shumë familjarëve dhe shumë të rinjve në vendin tonë. Ishte shumë e vështirë, por zgjodha të dytën”, tregon ajo.

Në këtë udhëkryq ajo me fuqinë e paktë që i kishte mbetur, vendosi që të jetë mbështetje e shumë të rinjve që janë përdorues të drogave.

Musliu: 23 të rinj i thanë “jo” këtë vit drogës

“Kthetrat e pamëshirshme të drogës po kaplojnë çdo ditë e më shumë rininë tonë. Nuk jam jashtëzakonisht e kënaqur me mbështetjen institucionale që po u ofrohet këtyre të rinjve. Unë si një nënë dhe psikologe me profesion që janë gërshetuar këto dy elemente, më kanë bërë mua që të ndjehem me fat ta them këtë pjesë me shumë krenari që arrita të përmbush një dëshirë të përbashkët për djalin tim. Unë realizova një qendër ku është një vend ku çdo individ gjen mbështetje, shkresë, shpalos atë dhimbjen që jo çdokujt mund të ja themi. Në fund të këtij viti, po përmbyllim këtë vit me 23 suksese. Ku 23 të rinj i thanë jo drogës”, ka treguar Musliu.

Ajo u ka bërë thirrje të rinjve që të mos dorëzohen para dështimeve dhe të duan vetën.

Musliu: Një i ri që heq dorë nga droga dhe jeton jetën me ngjyra, atëherë fillon një rijetë

“Jo rastësisht qendra ‘Ri-Jeta’ mban këtë emër, sepse një i ri që heq dorë nga droga dhe jeton jetën me ngjyra, atëherë fillon një rijetë. Paralelisht unë kam përmbushur fillimisht vetën, sepse nuk është egoizëm nëse fillimisht duam vetën, pastaj duam gjithë botën. Dhe kam kombinuar, kam marrë dy shkronjat e para të djalit tim dhe shkurtesën e emrit tim që në çdo këto dy kombinime të këtyre shkronjave kemi realizuar diçka të mirë dhe nga rinia po pritet shumë mirë”, ka përfunduar ajo.

Arjeta, e cila si nënë dikur po ballafaqohej me djalin e tij që ishte përdorues i drogave, nuk kishte me kë të rrëfehej. Ajo është infermiere dhe psikologe dhe tragjedinë e saj e ka kthyer në kauzë. Qendra e saj ofron ndihmë për të gjithë konsumuesit e substancave narkotike dhe familjarët e tyre.