MUSLIU E PDK-SË KËRKON SHKARKIMIN E MINISTRIT TË MBROJTJES ARMEND MEHAJ

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Në seancën plenare të Kuvendin të Kosovës, Musliu, pasi e pyeti ministrin për pjesëmarrjen e bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani me uniformë të FSK-së në stërvitjen ushtarake “Europe-Defender 21”, tha se i njëjti nuk po i dinë kompetencat e veta dhe është duke e shkatërruar imazhin e FSK-së.

Musliu: Një ministër i tillë e rrezikon shkatërrimin e FSK-së

“Të nderuar deputetë të Vetëvendosjes që urgjentisht të kërkoni shkarkimin e këtij ministri. Ministër i cili nuk e din për çka është ministër, një përgjigje të tillë nuk e kisha prit nga askush tjetër, e lëre më nga një ministër i FSK-së. Andaj ajo çka duhet të bëni ju është të kërkoni urgjentisht shkarkimin e këtij ministri i cili nuk i dinë kompetencat e veta dhe nuk dinë të përgjigjet në pyetjet e deputeteve. Mbi të gjitha nuk e ruan imazhin e FSK-së, një ministër i tillë e rrezikon shkatërrimin e FSK-së”, tha ajo.

Por ministri Mehaj, i tha deputetes Musliu se nuk po i dinë dallimet ndërmjet çështjeve operacionale dhe ceremoniale.

Mehaj: Mos i komplikoni sepse është dallimi për çështje operacionale dhe ceremoniale

Video:

“Së pari nuk jam ministër i FSK-së, por ministër i Mbrojtjes, ju lutem kuptoni mos i komplikoni sepse është dallimi për çështje operacionale dhe ceremoniale”, tha ai./KP