MUSTAFA: AMERIKA PO VEPRON ME SANKSIONE NDAJ DREJTUESVE TË KOSOVËS

Kosova mbeti ndër vendet e pakta të cilat nuk u ftuan në Samitin e Demokracisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Në samitin ku marrin pjesë mbi 100 shtete nga e gjithë bota, jashtë mbeti shteti i Kosovës.

Bashkë me Kosovën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk u ftuan edhe Serbia, Bosnja e Hercegovina, Hungaria dhe Turqia.

Kësisoj, Kosova u rendit në mesin e shteteve të cilat shpesh herë u lanë anash nga Amerika si pasojë e veprimeve të tyre.

Reagime të shumta lidhur me këtë pati nga shoqëria civile, nga partitë opozitare por jo edhe nga krerët e shtetit, si Presidentja Vjosa Osmani si dhe Kryeministri Albin Kurti.

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar ish-kryeministrin e vendit, Isa Mustafa.

Mustafa theksoi se arsyet e vërteta të izolimit të Kosovës nga Samiti i Demokracisë i dinë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe drejtuesit tanë të vendit.
E sipas tij ky qëndrim duhet të na brengosë shumë.

“Duhet të jemi të vëmendshëm dhe për faktin se SHBA-të nuk po flasin publikisht dhe nuk po bëjnë qortime, por po veprojnë në sanksionimin e drejtuesve të Kosovës dhe rrjedhimisht të Kosovës. Me SHBA-të nuk mund të komunikohet përmes mediave, qofshin ato britanike, gjermane apo amerikane. SHBA-të nuk janë vend të cilave drejtuesit e Kosovës iu “qojnë selam” përmes mediave, qoftë për dialogun, për rrezikun nga luftat ballkanike apo për aktet e kryera në veri të vendit”, tha Mustafa.

Tutje ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se udhëheqja e vendit duhet të tregojë respekt të njëmend ndaj SHBA-ve, të ulet dhe të diskutojë të gjitha çështjet, të ofrojë argumente, e jo qëndrime elektorale.

“Të vegjël jemi me i shitë mend Amerikës. Të padinjitetshëm dalim nëse nuk sillemi me respekt dhe nuk tregohemi falënderues ndaj aleatit tonë kryesor strategjik. Unë e lexova deklaratën e Ambasadës së SHBA-së për mungesë të ftesës për Kosovën dhe më ra në sy se thuhet: Siç vuri në dukje Presidenti Biden, në fjalimin e tij në video të gushtit, Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit, duke ndërtuar një demokraci elastike dhe multientike”, tha ai.

Por sipas Mustafës, drejtuesit tanë shtetërore po vazhdojnë të shprehen në forumet më të lartë botërore dhe evropiane se gjatë 20 viteve është vjedhë dhe asgjë tjetër.

“Edhe vendet e fuqishme dhe s’na kanë njohur po thonë se Kosova është projekt i dështuar (sepse këtë po e thotë vetë Udhëheqësia e Kosovës 2010). Këtë nuk po e thotë Amerika”, shtoi Mustafa.

Sipas tij, liderët tanë dueht të ecin përtokë, ose iu vie puna që s’i bënë hesap askush.

“I injorojnë edhe ata që ua dhanë votën”, theksoi Isa Mustafa.

Ndryshe Presidenti i Amerikës, Joe Biden, do të organizojë një Samit për Demokracinë, më 9 dhe 10 dhjetor të këtij viti, në të cilin do të ftohen të marrin pjesë krerë të shteteve, përfaqësues të shoqërisë civile, ata të sektorit privat dhe filantropistë.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë theksohet se samiti do të mbahet online.

Poashtu presidenti Biden planifikon që një vit pas këtij samiti të organizojë edhe një takim me prani fizike, në mënyrë që të diskutohen angazhimet që janë ndërmarrë.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk jepen detaje për listën e vendeve të ftuara në samit, i cili po shihet si një alternativë e G20-ës dhe një sfidë ndaj Kinës.