NDËRPRITET VAKSINIMI NË SALLËN “1 TETORI” NË PRISHTINË

Menaxheri i qendrës së vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se për shkak të disa problemeve, të shtunën më 11 dhjetor është ndërprerë procesi i vaksinimit kundër koronavirusit.

 

Përmes një përgjigje me shkrim, Bardhi njoftoi se vaksinimi do të vazhdojë përsëri gjatë ditës.

“Edhe përkundër problemit me sistemin, procesi i vaksinimit është duke vazhduar duke bërë regjistrimin e qytetarëve në librat e protokollit, dhe më pas do të futen të dhënat në sistem sapo të funksionalizohet”, tha Bardhi.

Që nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19, në muajin mars të këtij viti, në Kosovë me dozën e dytë të vaksinës janë vaksinuar 770,941 qytetarë.

Në raportin e 10 dhjetorit, Ministria e Shëndetësisë (MSH) në Kosovë njoftoi se në 24 orët e fundit është regjistruar një rast vdekjeje nga COVID-19.

Siç njofton MSH-ja, në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe shtatë raste të reja me COVID-19 nga gjithsej 1,849 testime.