NË DEPON E MSH-SË IU SKADOI AFATI MBI 14 MIJË INSULINA NË VLERË 36,261 EURO

Në depon farmaceutike të Ministrisë së Shëndetësisë iu ka skaduar afati insulinave të cilat kushtuan mbi 36 mijë euro.

Zyra Kombëtare e Auditorit gjatë ekzaminimeve fizike në depon qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë, janë gjetur 14 mijë e 220 insulina me afat të skaduar, shkruan Gazeta Shneta.

Këto insulina i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 36 mijë e 261 euro. Zyrtarët përgjegjës të depos së MSH-së janë arsyetuar me mungesën e kërkesave për furnizim.

“Gjatë ekzaminimit fizik, në depon qendrore të barnave të Ministrisë së Shëndetësisë kemi vërejtur barna me afat të skaduar në vlerë 36,261€ (insulinë 14,220 copë). Sipas zyrtarëve të Divizionit të Farmacisë në ministri barnat nuk janë shpërndarë në mungesë të kërkesës nga njësia kërkuese”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori ka thënë se skadimi i afatit të barnave ndikon në humbjen financiare të MSH-së, si dhe kërkon kosto shtesë për asgjësimin e tyre, andaj është kërkuar planifikim më i mirë.

Kujtojmë se në Kosovë ka pasur mungesë të insulinave për disa muaj, pasi MSH nuk arriti të bëj furnizimin me kohë. /Gazeta Shneta/