NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR MBULIMIN E POLISËS SË SIGURIMIT PËR DIASPORËN

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në bashkëpunim me Bankën Qendrore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Byronë Kosovare të Sigurimit, kanë nënshkruar sot Memorandumin për mbulimin e kostos së sigurimit Kufitar për Palët që janë Subjekt i Policës Kufitare.

Në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Financave, thuhet se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje paraqet një akt simbolik në mbështetjen e mërgatës sonë, e cila shërben si shtyllë e ekonomisë së vendit.

Subjekt i kësaj Marrëveshjeje janë të gjitha autoveturat dhe motoçikletat që hyjnë në pikat kufitare në Republikën e Kosovës për të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës mbulon 100% të vlerës së primit të policës kufitare. Polica e sigurimit bëhet efektive në momentin e lëshimit dhe është valide 1 muaj nga data e lëshimit.

Polica e sigurimit do të blihet në formë fizike në të gjitha pikat kufitare të shitjes të BKS-së.

Njëkohësisht, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka marrë sot vendim për uljen e lartësisë së tarifës për 35%, e cila rrjedhimisht do të ndikojë edhe në uljen e kostos së përgjithshme.

Vetëm gjatë vitit 2020, remitancat nga mërgata kanë kapur vlerën e më shumë se 1 miliard euro./KP