NESËR MBAHET GALA KONCERTI “RAMË LAHAJ & FRIENDS”

Nesër me fillim nga ora 20:30 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të mbahet gala koncerti “Ramë Lahaj & Friends”, i cili organizohet në kuadër të “Ramë Lahaj International Opera Festival”. Për këtë gala koncert në sheshin e Prishtinës, organizatorët kanë paraparë kapacitete të ulëseve afër 3 mijë, e që u bë e ditur se tashmë thuajse të gjitha biletat janë shpërndarë.

Në konferencën e sotme, tenori Ramë Lahaj, u shpreh i kënaqur që në këtë edicion të parë të festivalit kanë arritur të sjellin artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë.

Ai tha se po provojnë për të ndërtuar një platformë që është edukative, derisa tha se besojnë që festivali do të dalë jashtë specifikës së këndimit.

Lahaj: Jam tejet i kënaqur që në këtë edicion të parë kemi pasur artistë të shumtë

“Unë jam tejet i kënaqur që në këtë edicion të parë kemi pasur artistë si Jessica Nuccio, e po ashtu David Giusti, e plotë artistë të tjerë tonë edhe ashtu korin e Pejës. Kështu që mund të them që ka qenë një platformë që për pak momente në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, do të thotë muzika e mirë, artistët e mirë, atmosfera e mirë të merr me vete dhe e humb realitetin që je në një teatër ku ka plotë mundësi që tualetet nuk bëjnë. Kështu që, sigurisht është privilegj dhe kënaqësi për një platformë dhe një koncert që e kemi bërë me studentët e gjeneratës së re. Unë kam kaluar vet neper sfida të ndryshme sepse siç e dini edhe ju unë jam gjenerata e fundit e improvizimit të shkollave të edukimit dhe gjithçka tjetër, kështu që kam kaluar nëpër vështirësi të dyfishta dhe njëmend është një ndjenjë e papërshkrueshme kur ti mbërrin t’i ndihmosh dhe me i bë të lumtur sado pak ata fëmijë për aq kohë sa ndodhke workshop-i dhe festivali”, tha ai.

Drejtoresha artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj, tha se në gala koncertin e ditës së nesërme do të ketë një repertor shumë të larmishëm.

Aliaj: Do të kemi një repertor shumë të larmishëm

“Pjesa e përfshirjes së kolegëve apo miqve të ftuar do të jetë sigurisht gjithmonë një esencë shumë e rëndësishme e festivalit tonë për të sjellë dhe për të ngritur paralelisht skenën kosovare dhe për ta sjellë atë pse jo në të njëjtin standard me atë bashkëkohorë evropianë e më gjerë. Kështu që jemi shumë të lumtur që në këtë mbrëmje të ditës së nesërme do të kemi një repertor vërtetë shumë të larmishëm i cili do të preki të gjithë kategoritë”, u shpreh ajo.

Dirigjenti, Antonello Allemandi, tha se kanë punuar shumë për gala koncertin e nesërm dhe se besojnë që do të bëjnë një koncert të bukur.

Allemandi: Kemi punuar shumë mirë dhe do të bëjmë një koncert të bukur

“Ekipi është shumë i mirë, shumë miqësor, shumë profesional. Më ftuan këtu, megjithëse ne kemi punuar edhe në të kaluarën së bashku, bëmë një operë së bashku, dhe gjithashtu kemi në plan të bëjmë prapë operë së bashku. Dhe kështu e kam njohur që një kohë të gjatë dhe unë jam shumë i lumtur që ai më ftoi për këtë rast. Kemi punuar së bashku në Zagreb. Ashtë kënaqësi edhe për mua të gjej Piazzollan sepse jemi italianë por nuk kemi punuar më herët së bashku. Është e çuditshme, por është kështu, dhe kështu shpresoj se është hera e parë e shumë të tjerave. Siç mund ta shihni, atmosfera është vërtetë e bukur. Jemi shumë të lumtur ta bëjmë këtë këtu. Është një program me kërkesa të mëdha sepse ka stile shumë të ndryshme. Do të ekzekutojmë pjesë nga Verdi, nga Puccini, dhe këngë italiane shumë të famshme, si Sole Mio. Po ashtu do të ekzekutojmë Traviatën dhe të tjera. Do ti ekzekutojmë diku 15- 16 pjesë, çdo pjesë është e ndryshme. Sot kemi bërë një provë të mirë. Mendoj se kemi punuar shumë mirë dhe do të bëjmë një koncert të bukur nesër. Shpresoj që publikut t’i pëlqejë shumë”, tha ai.

Paraqitjen në Prishtinë e ka mirëpritur soprano Lana Kos, e cila tha se është tejet e lumtur që pas një kohe stresuese për shkak të koronavirusit po rikthehet në skenë.

Kos: Jemi vërtet të uritur për të performuar dhe për të qenë në skenë

“Unë mendoj se emri i duhur i këtij koncerti është Rama dhe miqtë, sepse ne jemi miq dhe kjo është me të vërtetë shumë emocionale dhe shumë e bukur. Dua të them faleminderit që më ftuat për këtë rast të bukur, mendoj se është një nder shumë i madh, është luks i madh në këtë moment të performosh sepse të gjithë kishim një heshtje të gjatë, dhe jemi vërtet të uritur për të performuar dhe për të qenë në skenë, dhe të ndajmë muzikën e bukur dhe emocionet me audiencën, një audiencë prej së vërteti. Më duhet të them, jam shumë e impresionuar me vendin tuaj, me njerëzit tuaj me ngrohtësinë që na keni dhënë, dhe që në këto momente të tmerrshme për mbarë botën, gjithçka u ndal, është stres i madh, por më duhet ta them se nuk ndjeva asnjë moment stresi nga koronavirusi në vendin tuaj, faleminderit për këtë”, deklaroi ajo.

 

Edhe Simone Piazzola, bariton, u shpreh i kënaqur që do të ketë mundësi të performojë para publikut të Kosovës.

Piazzola: Të kesh mundësinë të transmetosh emocionet tona për ju është diçka unike

“Është një nder të jem këtu sepse në këtë moment vërtetë historik dhe një vështirësie të madhe të jesh këtu para një publiku dhe të kesh mundësinë të transmetosh emocionet tona për ju është diçka unike, mund të thuhet edhe e rrallë sepse në këtë situatë është vërtetë e rrallë të mund të zhvillojmë profesionin tonë. Por, gradualisht mendoj se po kthehemi të këndojmë dhe kjo është e rëndësishme për ne të kthehemi të bëjmë kulturë dhe t’i sjellim kulturë të gjithëve”, tha ai.

“Ramë Lahaj International Opera Festival” ka filluar me 29 korrik, ndërsa do të përmbyllet nesër me gala koncertin “Ramë Lahaj & Friends”./KP