NIS KAMPANJA PËR MBAJTJE TË PËRGJEGJSHME TË QENVE SI KAFSHË SHOQËRUESE

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në Kosovë ka njoftuar se ka nisur kampanja informuese për mbajtje të përgjegjshme të qenve si kafshë shoqëruese, si masë e rëndësishme për të parandaluar rritjen e numrit të qenve endacak.

 

Sipas organizatës, pa trajtuar burimet e problemit të situatës së qenve endacak, nuk do të ketë përmirësim të qëndrueshëm dhe të dukshëm të situatës me qentë në rrugë.

“Mbajtja e përgjegjshme e qenve kontribuon ndjeshëm edhe në zvogëlim të numrit të qenve në rrugë, andaj është e rëndësishme që qytetarët të jenë të informuar rreth mbajtjes së përgjegjshme të qenve dhe obligimeve ligjore që qytetarët kanë për kafshën e tyre shoqëruese dhe të njoftohen mbi ndëshkimet që i presin në rast se nuk mbajnë kafshët e tyre siç duhet dhe nëse i braktisin kafshët në rrugë”, thuhet në një komunikatë për media të organizatës.

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në Kosovë thotë se përmes kësaj kampanje synojnë që të shpërndajnë mesazhin e mbajtjes së përgjegjshme të qenve, si dhe obligimet ligjore të mbajtësve/pronarëve të qenve për kafshët e tyre.

Përveç billbordëve, kampanja do të promovohet edhe përmes posterëve, broshurave, rrjeteve sociale dhe në mediat televizive.