OPOZITA I PËRKRAH VETËM DY MARRËVESHJE NDËRKOMBËTARE

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dy marrëveshje ndërkombëtare të cilat lidhen me ndihmën e Kosovës në luftën kundër pandemisë me Covid-19. Marrëveshja bilaterale në mes të Kosovës dhe Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit për zhvillim që quhet program për mbështetje shëndetësore dhe marrëveshja kornizë e kredisë së datës 14 gusht të vitit 2020 në mes të Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj Covid-19”, janë miratuar sot në Kuvendin e Kosovës me 84 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, derisa ka treguar se LDK do të përkrah marrëveshjet në interes të vendit, ka kritikuar qeverinë për kohën sa ishin në opozitë, duke thënë se nuk kanë dhënë kontributin e tyre në interes të qytetarëve.

Gashi: Nuk është qëllimi i LDK-së të bllokojë një qeveri dhe të fitojë politikisht

“E japim, përkrahjen sepse e kemi parasysh përgjegjësinë, e japim përkrahjen sepse e kemi parasysh që prioritet është shëndeti dhe jeta e qytetarëve, e japim përkrahjen sepse nuk shohim që duke e bllokuar një qeveri ne duhet të votojmë politikisht, nuk është ai qëllimi jonë nuk ka qenë asnjëherë”, ka thënë Gashi.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se kjo parti i voton marrëveshjet ndërkombëtare që lidhen me përmirësimin e gjendjes së krijuar nga pandemia.

Tahiri: PDK i përkrah marrëveshjet për të ndihmuar qytetarët në luftën kundër Covid-19

“Marrëveshjen që lidhet me projektin për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë, pra një grant nga qeveria e Luksemburgut si dhe marrëveshjen që lidhet me reagimin e emergjent ndaj Covid-19, grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës do t’i votojë këto dy marrëveshje në mënyrë që t’u japim përkrahje institucioneve tona që në këtë periudhë ku tashmë po krijohet një situatë e re dhe e rëndë me Covid-19, besojmë që këto dy marrëveshje do të ndihmojnë institucionet tona të jenë më efikase dhe të jenë sa më pranë qytetarëve të republikës së Kosovës në këtë periudhë ku çdo ditë më shumë po vështirësohet jeta e qytetarëve në vendin tonë”, ka thënë Tahiri.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje që të rriten pikat e vaksinimit, sidomos në vendet rurale.

Marrëveshjet ndërkombëtare i ka përkrahur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kadrijaj: AAK i përkrah marrëveshjet ndërkombëtare

“Aleanca duke e ditur rëndësinë e këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare do t’i përkrah dhe do t’i votojë këto marrëveshje”, ka thënë deputetja Time Kadrijaj.

Ndërsa për dy marrëveshje të tjera ndërkombëtare nuk kishte pajtueshmëri dhe do të hidhen në votim në një seancë tjetër./KP