PAGESA E POLISAVE KUFITARE PËR MËRGIMTARËT, KËRKOHET NGA QEVERIA QË MOS TA BËJË NË VITET E ARDHSHME

Pagesa e polisave kufitare nga buxheti të Kosovës nuk do duhet të shërbejë si praktikë edhe në vitet e ardhshme.

Kështu thuhet në raportin “Pagesa e polisave kufitare nga buxheti i shtetit”, të publikuar nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, duke shtuar se kjo praktikë është e padrejtë ndaj qytetarëve.

“Pagesa e polisave kufitare nga buxheti i shtetit nuk do duhet të shërbejë si praktikë edhe në vitet e ardhshme. Kjo për faktin se është një shpërndarje e padrejtë e taksave të qytetarëve, duke subvencionuar një kategori të popullsisë në gjendje të mirë financiare”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Sipas GAP-it, në vend të kësaj, institucionet duhet të ua mundësojnë pjesëtarëve të mërgatës aplikimin në mënyrë elektronike.

“Në vend të kësaj, në periudhë afatshkurtër, Qeveria e Kosovës, Banka Qendrore dhe Byroja Kosovare e Sigurimit duhet t’ua mundësojnë pjesëtarëve të mërgatës dhe të huajve që hyjnë në vendin tonë, që polisat kufitare t’i paguajnë në mënyrë elektronike (online) me qëllim të shkurtimit të kohës për pritjet në kufi”, vijon GAP.

Po ashtu thuhet se Kosova duhet ta reduktoj numrin e veturave të paregjistruara, në mënyrë që të bëhet aplikimi në “Kartonin e Gjelbër”

“Në aspekt afatgjatë, institucionet duhet të sigurohen që numri i veturave të paregjistruara dhe në qarkullim të ulet nga 30 për qind në 5 për qind dhe kësisoj, të largohet edhe pengesa praktike për aplikim për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër”, përfundon raporti.

Qeveria e Kosovës kishte marr vendim, nga 1 korriku deri në fund të këtij viti, që ta mbuloj pagesën e polisës kufitare për mërgatën. /Telegrafi/