PANDEMIA S’E SHKURTON FUSHATËN ELEKTORALE

Me numrat aktualë të infektimeve në ditë dhe fushatën elektorale në horizont ekziston frika se situata me pandeminë mund të përkeqësohet edhe më shumë. Ligji e përcakton qartë që në zgjedhje të rregullta periudha e fushatës zgjat 30 ditë. Mirëpo, ekspertët dhe shoqatat e pacientëve apelojnë për fushatë me më pak se një muaj, por nga KQZ thonë se kjo është e pamundur dhe se vetëm presin rekomandimet e institucioneve shëndetësore për të respektuar masat për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Nënkryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Xhemajl Selmani tha për KosovaPress se kësaj radhe duhej bërë përjashtim dhe të mos ketë fare tubime me prani fizike.

Ai thotë se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit u rritën numrat pikërisht për shkak të fushatës, prandaj apelon qytetarët që të shmangin tubimet ndërsa ata që të shkojnë të respektojnë masat për hir të shëndetit të tyre.

Selmani: Fushata duhet të shkurtohet dhe të mos grumbullohen njerëzit

“E ka treguar edhe fushata e kaluara që menjëherë pas zgjedhjeve janë rritur numrat. Mendoj që jo vetëm të shkurtohet fushata, por edhe të mos mblidhen njerëzit nëpër tubime të partive politike. Megjithatë, pjesa militante e partive politike është vështirë të ndalohet nëpër tubime, por të paktën t’ju përshtaten rregullave, distancimit nga njëri-tjetri, mbajtjes së maskave, mbajtjes higjienës, ato që preferohen nga ekspertët dhe të mos ketë numër të madh të të mbledhurve nëpër ato tubime. Është vështirë që të ndalen dhe të kontrollohen, por me deshtë politikanët e bëjnë”, deklaroi Selmani.

Në të njëjtën linjë mendimi janë edhe nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës. Kryetari i saj, Besim Kodra parashikon rritje të numrit të rasteve të reja si dhe të atyre me fatalitet.

Kodra thotë se do të kërkojnë nga institucionet që të mos rrezikohet shëndeti publik për shkak të fushatës dhe kjo bëhet vetëm duke reduktuar periudhën e fushatës dhe duke respektuar masat gjatë takimeve elektorale.

Kodra: Nuk duhet rrezikuar shëndetin publik për shkak të fushatës

“Nuk e di cili institucion mund të vendosë që mos të ketë fushatë fare ose të dizajnohet në atë formë që të respektohen masat anti-COVID, përndryshe në qoftë se do të kemi fushatë sikurse fushatën e kaluar me këtë pozitivet (të infektimeve) sa i përket COVID ne do të kemi shifra marramendëse të numri të infektuarve dhe nuk do ta përballojnë kapacitet spitalore dhe vdekjet do të jenë të pashmangshme. 03:40 Çdo veprim, organizim që është në kundërshtim me ato masa është i kundërligjshëm duke përfshirë edhe fushatën zgjedhore. Ne gjithmonë qëndrojmë mbrapa asaj që nuk duhet të rrezikohet shëndeti publik pa marrë parasysh çfarë organizmi kemi, edhe fushatë zgjedhore. Padyshim që do t’i bëjmë kërkesë që të reduktohet në maksimum fushata dhe të mos ketë rrezikim të shëndetit publik”, u shpreh Kodra.

Megjithatë, kërkesa për të shkurtuar periudhën e fushatës duket se nuk ka një bazë ligjore. Nga KQZ thonë se kjo është e pamundur për shkak se ashtu rregullohet me Ligjin për zgjedhje lokale dhe Ligjin për zgjedhje të përgjithshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi deklaroi për KosovaPress se tashmë janë përcaktuar datat për mbajtjen e fushatës që nis më 16 shtator. Sipas tij, mbetet në dorën e institucioneve shëndetësore që të bëjnë rekomandimet se si duhet të zhvillohet fushata në mënyrë që të mos rrezikojë shëndetin publik.

Elezi: KQZ nuk ka mundësi të shkurtojë periudhën e fushatës

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar datat për mbajtjen e fushatës zgjedhore, pra të tubimeve të subjekteve politike dhe kjo fushatë fillon me datën 16 shtator deri më datë 15 tetor. Pra, kjo periudhë një mujore e fushatës zgjedhore është veçse e përcaktuar me Ligjin për zgjedhje të përgjithshme dhe me rregulla zgjedhore për tubime dhe njoftimet e subjekteve politike sepse ne jemi në rrethana në kohë të zgjedhjeve të rregullta lokale të cilat organizohen brenda afateve që veçse janë të përcaktuar me ligj. Në këtë drejtim KQZ kur ka përcaktuar datat e mbajtjes së fushatës zgjedhore është mbështetur në ligj dhe nuk ka ndonjë mundësi që të shkurtohen nga KQZ”, u shpreh Elezi.

Javën e fundit në Kosovë janë rritur rastet ditore me COVID-19 ndërsa prej të premtes kanë hyrë në fuqi masat e reja. Në total numri i rasteve aktive është 16.341./KP