PARA 5 VITESH MAJLINDA BËRI HISTORINË DHE FITOI TË ARTËN NË OLIMPIADË

Para pesë vitesh, më 7 gusht 2016 e gjithë bota po fliste për Kosovën. Xhudistja Majlinda Kelmendi shkroi historinë, duke siguruar medaljen e parë të artë olimpike për Kosovën. Xhudistja pejane u tregua dominuese ndaj konkurrenteve, duke i fituar raundet një e nga një, për të mposhtur në finale, italianen, Odette Giuffrida.

Kosovarja në kategorinë 52 kg fillimisht mundi në gjysmëfinale, japonezen Misato Nakamura, e cila më herët eliminoi në çerekfinale xhudisten ruse, Natalia Kuziutina.

Majlinda po ashtu mposhti në çerekfinale kundërshtaren, Christianne Legentil. Fitoren e parë e arriti për vetëm 25 sekonda ndaj zviceranes, Evelyne Tschopp.

I gjithë opinioni botëror sportiv dhe në Kosovë foli për këtë arritje historike të Kosovës qysh në debutim në Lojërat Olimpike.

Pas këtij suksesi historik, Majlinda Kelmendit iu rezervua pritje madhështore në Prishtinë ku kampionia olimpike është parë shumë e lumtur. Ajo në konferencën për media në aeroportin “Adem Jashari”, falënderoi të gjithë, teksa tregoi se kishte një kaluar një periudhë shumë të vështirë për shkak të lëndimeve për të rikthyer formën.

“Në Rio jam nisur për medalje të artë. Nuk ishte e lehtë pasi atje të gjithë ëndërrojnë të marrin atë medalje. Fatmirësisht gjithçka ka shkuar qysh e kam pritur. Lufta më e vështirë ka qenë kundër japonezes Nakamura, e cila ka qenë kohë më parë e kam pasur idhull. Tani arrita të garoj me të dhe të fitoj, ishin momente të papërshkrueshme. Në finale kam pasur bindjen se do të fitoj pasi jam shumë e motivuar dhe e dija se medalja e artë do të ishte e artë. Gjithë kjo sakrificë është bërë për popullin tim, kështu që urime të gjithëve”, ishin fjalët e para të Majlindës pas rikthimit në Prishtinë.

Majlinda Kelmendi u prit në Prishtinë si heroinë, nga mijëra tifozë e qytetarë të Kosovës, të cilët ajo i bëri krenarë.

Një autobus i hapur, i destinuar për kampionen botërore e olimpike, Majlinda Kelmendin, dhe për ekipin olimpik të Kosovës, defiloi rrugës prej Aeroportit deri në Prishtinë dhe në bulevardin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Mijëra qytetarë moshash të ndryshme duartrokitnin dhe thërrisnin e brohoritnin emrin e Majlindës.

Në këtë mënyrë ata i shprehën mirënjohje kampiones që e lartësoi emrin dhe flamurin e shtetit të Kosovës.

Një numër i madh i mediave ndërkombëtare i kanë dhënë hapësirë të madhe paraqitjes së Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike në Rio de Zhaneiro.

Këtë vit, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova ndoqën të njëjtën rrugë dhe i sollën të njëjtin sukses Kosovës me dy të arta të tjera në xhudo duke bërë që Kosova as vetëm dy pjesëmarrjeve në Olimpiadë të ketë tri medalje të arta./KP