PARALAJMËRIMET SERBE PËR ÇNJOHJE TË KOSOVËS, MPJD AKUZON SERBINË SHKELJE

Në shtator të këtij viti skadoi moratoriumi i nënshkruar në Washington, ku Serbia u zotua se do ta ndalë fushatën në kërkim të ҫnjohjeve të pavarësisë së Kosovës, ndërsa kjo e fundit do të ndalte përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

 

Me të skaduar kjo marrëveshje, Serbia ka nisur me paralajmërimet e saj diplomatike për fushatën e çnjohjeve të shtetësisë së Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq ka deklaruar për mediat serbe se janë dhjetë vende të gatshme të rishqyrtojnë vendimet rreth njohjes së Kosovës.

Lidhur me këto paralajmërime nga pala serbe, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se Serbia nuk ka ndalur asnjëherë sulmet ndaj Kosovës dhe nuk i është përmbajtur as marrëveshjeve.

“Për fat të keq, Serbia asnjëherë nuk i ka ndalur sulmet ndaj Kosovës dhe në vazhdimësi ka punuar në drejtim të dobësimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nuk i është përmbajtur as marrëveshjeve dhe publikisht zyrtarë të këtij shteti kanë bërë thirrje për ç’njohje të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Telegrafin.

Më tej nga ministria e Jashtme kanë deklaruar se Qeveria është duke punuar shumë në forcimin e subjektiviteti ndërkombëtar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e përkushtuar dhe çdo ditë po punon me shumë seriozitet për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës në bashkëpunim me miqtë dhe partnerët ndërkombëtar”, kanë deklaruar nga MPJD.

Ndryshe, dje në një prononcim për Telegrafin njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, në Grupin për Studime Juridike Politike (GLPS), Arbër Fetahu ka thënë se ky moratorium një vjeçar është dashur të shfrytëzohet nga Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Jashtme për të përpiluar strategji, plane, për ta dinamizuar shërbimin e jashtëm të Kosovë nëpër botë, dhe që tutje të jenë gati për lobim zyrtar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe aplikim për pranim në to si dhe për të kërkuar njohje nga vende të tjera, të thellojë bashkëpunimin me vendet njohëse dhe ato që kanë qëndrim të luhatshëm ndaj Kosovës.

Dokumenti gjashtëmbëdhjetë pikësh në dy versione, një për palën kosovare dhe një për atë serbe, u nënshkrua më 04.09.2020, një vit më parë në Shtëpinë e Bardhë, në prani të ish-presidentit amerikan Donald Trump, nga ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.