PDK I DËRGON FTESË VV-SË PËR KOALICION NË VUSHTRRI

Ferit Idrizi, kandidat i PDK’së për kryetar të Vushtrrisë ka bërë të ditur se i ka dërguar Lëvizjes Vetëvendosje ftesë zyrtarë për koalicion në këtë komunë..

 

I ftuar në emisionin Frontal, ai ka thënë se kanë kërkuar koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të votave që ky subjekt ka arritur të siguroj në këto zgjedhje.

“Unë i kam bërë ftesë subjekteve politike, madje shumë shpejtë do të shihni që edhe ato subjekte politike që e kanë mbështetur zotin Tahiri do të kthehen në mbështetjen time si kandidat dhe tash po presim edhe përgjigjet e tyre. Ne jemi të hapur për të gjitha partitë politike dhe grupet e interesit por veçanërisht i kemi bërë ftesë Lëvizjes Vetëvendosje, një ftesë zyrtare që të kemi një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të fuqisë së votës që e ka në këto zgjedhje, numrit të ulësve që i ka fituar në asamble komunale si dhe për shkak se ata krijuan një përvojë në qeverisjen në mandatin e kaluar edhe pse nuk shkoi kjo deri në fund pasi që zoti Tahiri i largoi nga koalicioni me disa justifikime që i ka paraqitur”, ka deklaruar ai.

Idrizi ka thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje nga Vetëvendosje derisa ka treguar edhe çfarë ka shkruajtur në kërkesën që i ka dërguar këtij subjekti për koalicion.

“Jemi në pritje të përgjigjes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe e imja është që të jem i hapur shumë dhe ju kam bërë ofertë zyrtare. Në bazë të asaj që unë kam mandat unë personalisht e kam hartuar kërkesën, e kam nënshkruar vetë dhe personalisht e kam dërguar në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje në degën në Vushtrri. Unë e kam vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e tyre, kam vlerësuar lartë edhe fuqinë e votës që e kanë fituar në këto zgjedhje dhe kam vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që të ju dalim përball kërkesave të qytetarëve ashtu si kam premtuar edhe unë edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shtuar ai.