PDK MBËSHTET STREHIMIN E SHTETASVE AFGANË NË KOSOVË

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka shprehur mbështetjen e plotë për strehimin në Kosovë të shtetasve afganë që kanë punuar me strukturat e qeverisë amerikane.

Ai në një postim në Facebook shkruan se pranimi i këtyre refugjatëve të luftës është një dëshmi se Kosova është e gatshme të japë kontributin që i takon në kuadër të solidaritetit ndërkombëtar.

“Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim, shpreh mbështetjen e plotë për strehimin në Kosovë të shtetasve afganë që kanë punuar me strukturat e qeverisë amerikane dhe ato të institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Jo vetëm si kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – që është një mundësi për të shprehur mirënjohjen tonë ndaj aleatëve tanë amerikanë për gjithë atë që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë për ne, por mikpritjen dhe ndihmën ndaj të huajve që janë në vështirësi ne e kemi traditë kombëtare dhe obligim moral, si një popull që ka vuajtur shumë e që kemi përfituar prej ndihmës së ardhur nga jashtë.

Pranimi i këtyre refugjatëve të luftës është një dëshmi se Kosova nuk është vetëm konsumatore ndihme, por është e gatshme që me të gjitha mundësitë e saj të japë kontributin që i takon në kuadër të solidaritetit ndërkombëtar”, shkruan Krasniqi./KP