PDK: MINISTRIA E ARSIMIT PO E DËSHTON EDHE NJË VIT TË RI SHKOLLOR

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Muzafer Shala në një konferencë për media ka akuzuar Ministrinë e Arsimit se ka dështuar t’i bëjë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor me kohë, krahas situatës së rënduar nga përballja me pandeminë COVID-19 dhe rritjes së numrit të rasteve të infektuara me virusin Delta.

Shala ka thënë se për PDK-në është jashtëzakonisht të papranueshme, zhgënjyese dhe dështim fund e krye i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit që të nuk ka arritur t’i bëjë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator.

“Për dallim nga shumë vende që i përditësojnë të dhënat e udhëzimeve administrative dhe udhëzuesve rreth përgatitjeve të mbarëvajtjes së arsimit, në Kosovë nuk ka ndodhur ende një gjë e tillë nga MASHT-i. Në këto momente kur po flasim, situata në terren është alarmuese dhe shumë drejtor shkollash që kemi pyetur thonë se askush nuk i ka kontaktuar për asgjë.”, ka thënë ai.

Shala ka ngritur një sërë shqetësimesh në lidhje me këtë situatë dhe ka kritikuar Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit duke thënë se në vend të përgatitjeve intensive, ata e kaluan pushimin veror në bregdet dhe sallone dasmash dhe rrezikojnë të dështojnë edhe një vit të ri shkollor.

“I bëjmë apel Ministrisë së Arsimit dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që ta marrin seriozisht situatën me pandeminë dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Në të kundërtën, dështimi i qeverisë do të zbeh besimin e mësuesve, nxënësve dhe prindërve në sistemin arsimor të vendit tonë në këtë krize pandemie. Duhet që të arrihet një konsensus me të gjitha palët e interesit për ta tejkaluar këtë krizë dhe ministria të jetë konsistente me vendimet që i merr duke i informuar të gjitha palët për përgatitjet sa më herët dhe në mënyrë të duhur.”, ka përfunduar ai./KP