PËRFSHIRJA E SHBA-VE NË BRUKSEL SI MBËSHTETJE E PROCESIT TË BERLINIT

Pala kosovare dhe ajo serbe do të takohen me 29 shtator në Bruksel. Kështu njoftuan përfaqësues të lartë të BE-së duke e cilësuar këte vendim si hap pozitiv. Në takim, do të marrë pjesë edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar.

 

Arbenita Marmullaku / Radio Kosova

Takimi vjen pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që erdhi pas vendosjes së masës së reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës në targa të automjeteve nga Serbia.

Nesër në Bruksel, pritet të mbahet takimi i ardhshëm ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka thënë se BE-ja, në të gjitha nivelet është e angazhuar që nga fillimi përmes rrugëve diplomatike për shtensionimin e situatës në veri. Në takimin e së mërkurës në Bruksel, do të merr pjesë edhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar.

Përfshirjen e SHBA-së në dialog, profesori  dhe analisti politik Milazim Krasniqi, e sheh si të domosdoshëm. Ai thotë për Radio Kosovën se takimi i radhës në Bruksel, është imponuar nga zhvillimet e ngjarjeve në veri, ndërsa shprehet skeptik në suksesin e takimit.

“Është mirë që mbahet takimi, për t’i ulë tensionet, por unë jam skeptik që mund të arrihet ndonjë marrëveshje në këtë format. Pra duhet të ndërroj qëndrimi i Bashkimi Evropian, ndaj palëve duke i trajtuar të barabarta dhe duke gjetur marrëveshje të barabarta që funksionojnë e jo duke favorizuar njërën palë siç bëjnë gjithmonë me Serbinë”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.

Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Shqiprim Pula, e vlerëson përfshirjen e SHBA-së.

“Përfshirja e zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar është sinjal shtesë që ka të bëjë më tepër me dhënien e mbështetjes së Procesit të Berlinit dhe assesi lejimin e vazhdimit tutje te iniciativës mbi “Ballkanin e Hapur”, tha ai për Radio Kosovën.

Takimi në Bruksel mbahet pas tensioneve të ngritura në veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit në targa për automjetet nga Serbia. Lidhur me situatën, KFOR-i ka njoftuar se ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke i shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet e protestuesve serbë dhe ka vendosur njësitet e veta edhe në pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak, në përputhje me mandatin që ka. Në një komunikatë për media, thuhet se KFOR-i ka biseduar me palët për ndërprerje të protestave në veri.