PETKOVIQ NDODHET PËR KRISHTLINDJE NË KOSOVË

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, sot dhe nesër do të jetë në Kosovë me rastin e festës së Krishtlindjes ortodokse, njofton zyra e tij.

 

Këtë herë vizita do të nisë në Zveçan, ku me të mbërritur do të marrë pjesë në ndezjen e pemës së Krishtlindjes në portën e kishës së Shën Gjergjit, shkruan Tanjug.

Më pas Petkoviq do të shkojë në Mitrovicë, për të marrë pjesë në ndezjen e pemës së Krishtlindjes para kishës së Shën Dhimitrit, pas së cilës do t’u drejtohet qytetarëve të mbledhur aty.

Të premten, më 7 janar, ai do të vazhdojë vizitën në Priluzhje.

Sipas agjendës së publikuar, Petkoviq do të marrë pjesë në Liturgjinë e Krishtlindjes në manastirin e Graçanicës.

Më pas ai do të vizitojë fshatin Prekovc të komunës së Novobërdës, dhe do të përfundojë këtë vizitë në fshatin Pasjanë të komunës së Gjilanit.