PROKURORI SPECIALE NGRE AKTAKUZË NDAJ KOSOVARIT QË TRAJNOI SNAJPERISTËT E ISIS-IT NË SIRI

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër një të pandehuri për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës thuhet se i pandehuri K.D. me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që me bashkëshorten i është bashkangjitur luftëtarëve të organizatës terroriste, militante, ekstremiste “ISIS” (Islamic State of Iraq and the Sham), duke marrë pjesë aktivisht në veprimtaritë e kësaj organizate si trajner i snajperistëve.

Më pas i pandehuri K.D., është arrestuar dhe është burgosur nga Forcat Demokratike Siriane, kurse më datë 17 korrik 2021, në mënyrë të organizuar është transferuar në Kosovë.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftim. /Telegrafi/