PROKURORIA KËRKON PARABURGIM PËR DARDAN KRIVAQEN

Dje policia ka arritur ta arrestojë Dardan Krivaqen, i cili ka qenë në arrati dhe është i dyshuar për vrasjen e partneres së tij M.O., 18-vjeçare. Krivaqa është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

 

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.K., më 22 Gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës M.O., me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.8 me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa, ndaj Arbër Sejdiut, gjykata ka caktuar dje masën e paraburgimit prej një muaji.

M.O., është varrosur dje në varrezat e qytetit të Ferizajt, ndërsa është theksuar se e njëjta ka pasur shenja të tmerrshme dhune në trup dhe fytyrë.

The post PROKURORIA KËRKON PARABURGIM PËR DARDAN KRIVAQEN appeared first on Dielli News.